Mendonte të hidhej në shinat e trenit me vajzën në bark, Alma tregon skamjen që e çoi deri aty: Kisha veç një shishe ujë në frigorifer

Pas martesës në  moshën 16-vjeçare  me njeriun që mendonte se do të shkruante përrallën e saj,  Almës zbuloi shumë pak kohë më vonë se jeta nuk do të ishte e tillë. Varësia e bashkëshortit ndaj lojërave të fatit i ndoqi në Greqi, ku shkuan me shumë mundime për të ndërtuar një  jetë tjetër. Alma tregon në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E diela shqiptare” në Tv Klan se situata nuk u lehtësua aspak, ajo gjendej shpesh e mbyllur dhe e vetme në shtëpi, ndërsa bashkëshorti largohej e ajo nuk e dinte se ku ndodhej.

Ajo punonte 2-3 punë, kurse ai nuk mundohej aspak. Paratë zhdukeshin nga bixhozi e pija, uria ishte ulur këmbëkryq në shtëpinë e tyre dhe dashuria ishte venitur, por Alma sërish qëndronte. Pas  5 vitesh që ndodheshin në Athinë, do të vinte në jetë vajza e tyre dhe në një çast dëshpërimi, Almës i shkoi ndërmend një mendim i errët.

 

Alma: Kur bixhozi shoqërohej edhe me pije.. nuk dua ta përdor fjalën, por ishte një çikë më e neveritshme, nuk e doje më. Nuk ishte i dhunshëm, jo, unë…

Ardit Gjebrea: Nuk ishte për ty.

Alma: Nuk ishte fare për familje.

Ardit Gjebrea: Kur fillove të mendosh sikur ta divorcoj apo jo?

Alma: Gjatë viteve që kemi qëndruar bashkë, ia kam thënë shumë herë që do iki por nuk e kam bërë asnjëherë.

Ardit Gjebrea: Pse?

Alma: Ka patur një periudhë që unë ndihesha sikur jam në një tunel, e mbyllur, errësirë, sikur ai tunel askund s’ka dritë, pa shpreh, kam arritur deri në atë gjendje që unë mos ta dua më jetën. Tani kur shikoj mbrapa është diçka shumë qesharake, por kur gjendesh në atë pozicion… do të të them një rast Ardit, unë kam qenë në pritjen e gocës time, kishte ndodhur një sherr, gjithmonë arsyeja ishte mungesa e parave në shtëpi sepse dhe ato që bija unë iknin, por edhe ato që merrte ai iknin dhe pastaj vinin edhe grindjet sepse ne prisnim një fëmijë, unë kisha pritshmëri, doja të krijoja familje dhe thashë këtu stop. Kam vajtur në stacionin e trenit, më kanë ardhur ca ide jo të mira aty.

Ardit Gjebrea: Mos më thuaj që doje të hidheshe përpara trenit?

Alma: Atë kisha menduar. Por unë besoj shumë te Perëndia dhe gjithmonë ta dërgon një shenjë.

Ardit Gjebrea: Mesazhin.

Alma: Po. Aty përpara meje kalon një zonjë, një lypsare dhe kishte dy fëmijë përdore dhe priste edhe një të tretë dhe kërkonte ndihmë nga njerëzit. E pashë dhe thashë çfarë po bën ti? Ajo po lufton për fëmijët, ti çfarë do bësh se dhe ti po pret një fëmijë dhe jam kthyer Ardit, kam vajtur në shtëpi, jam ndierë edhe shumë më e fortë. E kam pritur gocën, kur kam dalë nga spitali me gocën, unë e kam patur frigoriferin vetëm me një shishe ujë, s’kisha asgjë në frigorifer. Goca qante, donte qumësht, unë nuk kisha qumësht, nuk më kishte ardhur qumështi, por nuk kisha as t’i blija dhe i bëja kamomil se thosha mos të m’i dalë shpirti. Nuk kërkoja dot ndihmë, më vinte turp të kërkoja ndihmë, domethënë ishte një situatë që unë e mbaja të fshehur në shtëpi, nuk doja./

Share With:
Translate »
87 Views