Në një kohë të shkurtër, Agron Llakaj humbi motrën dhe babain e tij dhe padyshim mungesa e tyre ka lënë gjurmë të pashërueshme tek ai.

Nga studio e ‘Vizionit të Pasdites’, Agroni tha se e kërkon shpesh babain e tij për bashkëbisedim, ndërsa shtoi se kur shkon tek nëna i mungon shprehja e të atit, “O Goxho ku je?”.

“Zoti nuk më kishte mësuar me vdekjen. Momentin e parë ishte me motrën dhe më tepër pamundësia ishte për t’iu gjendur sepse u shtrua në spital, Covidi nuk lejonte komunikimin dhe na iku vetëm si zë. Thjesht i dëgjova zërin. “Kam ftohtë”-tha. Ajo ishte goditja e parë.

Jeta vazhdon dhe në raport me vëllezërit dhe motrat nuk jemi më ata që kemi qenë se humbja nuk ishte e vogël. Gjithmonë me atë që kështu ishte një zgjedhje e zotit dhe duke e respektuar si të tillë, por pa e menduar se pas saj do të vinte largimi i tim eti, që lidhja ime me atë ka qenë e jashtëzakonshme. Dikush që e dëgjonte thoshte 88, ka jetuar plot, por ai ishte babai im.

Ka momente që e kërkoj për të bashkëbiseduar. Sa herë që shkoj te mamaja më mungon një “O Goxho ku je?”. Dhimbja mbetet, por babai im aq i mirë, aq i ngrohtë. Por, jam i lumtur sepse një pjesë të tij e trashëgoj unë. Me gojëdhënat që fliste im atë u ndërtova një personazh Temën, babai thoshte të qeshin njerëzit”, tha Llakaj.