Babin e vrava se do na vriste të tërë, preu bombolën e gazit, rrihte mamin edhe në gjumë. Rrëfim tronditës nga Hygerta në gjyq

Vajza 19-vjeçare Hygerta Meta tha në sallën e gjyqit ku u vlerësua masa e sigurisë së dhënë nga policia dhe prokuroria se e ka kryer ajo vrasjen e të atit. Ajo shtoi se nga frika ia kishte lënë fajin vëllait të madh. Hygerta tha se kishte konflikte të vazhdueshme me të atin dhe se kishte frikë se ai do i vriste.

“Duke qenë që ishte shumë e vështirë, kisha frikë nga policia, ia lashë fajin e vrasjes vëllait. Konflikti ka nisur që në dhjetor. I thashë jo për fejesën. Kisha frikë se nga refuzimi i fejesës do më vriste. Ai preu bombolën e gazit dhe nuk e rregulloi. Në fund të janarit më tha sërish për fejesën. Më tha që ju nuk keni për të bërë hajër në këtë shtëpi, kishim frikë.

Ka pasur konflikte dhe me mamin, e goditur mamin edhe kur ka qenë në gjumë, për shkak se ishte zgjuar vonë.

Babi ka qenë gjithmonë agresiv. Nuk e kam denoncuar nga frika, sepse kishim frikë se na vriste. Shumë herë na ka thënë do ju vras. Ai mund të paguante edhe dike për të na vrarë”, tha Hygerta.

E pyetur nga gjyqtarja se si i lindi mendimi për të vrarë babanë, Hygerta tregoi skenën kur ndodhi ngjarja.

“Disa herë më ka thënë mamaja se ka thënë babi do ju vras e një herë e kam dëgjuar vetë.

Unë e dija që kishte armë dhe dija momentin kur vinte nga puna. Erdhi babi nga puna ra duke pushuar, ishte me kurriz dhe mora armën, ia drejtova babit. Nuk më tha gjë dhe më tha ku shkon me atë armë. Kur më tha ku shkon me të, i thashë çohu në këmbë, ai më tha “ik andej”. Unë e qëllova pas kësaj, isha 2 metra larg”, tha 19-vjeçarja.

Pas dëshmisë së vajzës, avokati i Hysen Metës kërkoi një masë të butë për të pasi vajza pranoi krimin.

Përtej dëshmive dhe kërkesave të avokatëve, gjykata e Durrësit vendosi arrest me burg për të tre fëmijët.

Gjithashtu prokuroria po heton Blerina Metën, nënën e fëmijëve, në gjendje të lirë për moskallëzim krimi.

Ajo po qëndron në banesën e prindërve të saj në Gjorm të Kurbinit, ndërsa është marrë në mbrojtje nga policia.

Babai i Blerinës, Baftjar Tuga, thotë jashtë kamerave se gjithçka në lidhje me këtë çështje do ta dëshmojnë përpara organeve të drejtësisë.

Në mbyllje të seancës, avokatja e Hygertës tha se “vajza pranoi prapë veprën që e ka kryer ajo dhe ka dhënë dy dëshmi në kundërshtim me njëra-tjetrën. Do të vazhdojnë hetimet pasi prokuroria e ka akuzuar për fshehje të kufomës dhe bashkëpunim në krim dhe jo për vrasje. Ka nevojë edhe për hetime shtesë pasi janë dhënë dëshmi kontradiktore”.

Krimi i rëndë ka tronditur mbarë vendin. Ngjarja ndodhi në fshatin Shënavlash të Durrësit më 10 shkurt dhe trupi u zbulua pas 13 ditësh.

Sipas policisë krimi i paramenduar ka ndodhur brenda një dhome të shtëpisë dhe se motivi i vrasjes gjendet te debatet familjare që kanë pasur dhe nxitja e babait që vajza e tij të fejohej me një person kundër dëshirës së saj.

Share With:
Translate »
89 Views