Risi nga Instagram: Prindërit njoftohen kur fëmijët kërkojnë përmbajtje vetëlënduese
Kompania Meta ka njoftuar një masë të re sigurie në Instagram: prindërit që përdorin mjetet e mbikëqyrjes prindërore do të marrin njoftime nëse fëmijët e tyre kërkojnë shpesh përmbajtje që lidhet me vetëvrasjen ose vetëlëndimin.
Sipas njoftimit, kjo masë do të zbatohet fillimisht në Shtetet e Bashkuara, Britani të Madhe, Australi dhe Kanada, përpara se të shtrihet edhe në vende të tjera.
Megjithatë, vendimi është kritikuar nga organizata bamirëse Molly Rose Foundation, e cila paralajmëron se masa “mund të bëjë më shumë dëm sesa mirë”.
Drejtori i fondacionit, Andy Burrows, u shpreh se disa prindër mund të alarmohen pa qenë të përgatitur për të zhvilluar biseda kaq të ndjeshme me fëmijët e tyre.
Fondacioni u krijua pas vdekjes së adoleshentes Molly Russell, e cila i dha fund jetës në vitin 2017, pasi ishte ekspozuar ndaj përmbajtjeve të rrezikshme në rrjetet sociale.
Ndërkohë, debati mbi përgjegjësinë e platformave digjitale për mbrojtjen e të rinjve vazhdon të mbetet i fortë në shumë vende.