“Të dashur nëna e baballarë! Lërini fëmijët të gabojnë në shkollë”

Jessica Lahey, në librin “Lërini të gabojnë” jep disa këshilla shumë serioze: “Tmerri nga dështimi ka dëmtuar potencialin akademik të një brezi të tërë”Jessica Lahey është mësuese dhe shkrimtare. Ajo u bë nënë dhe mësuese në të njëjtin vit: ajo lindi dy djem dhe u mësoi anglishten qindra fëmijëve të fillores. Lahey është një opinioniste e rregullt në Nju Jork Tajms. Kur fëmija i saj i parë filloi të shkonte në shkollë, dy botët paralele të nënës dhe mësueses filluan të përplaseshin. Pakëz shqetësim në fillim, më pas dyshim.

“Motoja është që mos i shtrëngoni – thotë ajo. Por kjo nuk do të thotë se mësuesit dhe prindërit nuk kanë një rol në mësimin e fëmijëve dhe nxënësve. Kjo thjesht do të thotë se ne duhet të braktisim sistemin që kemi ndjekur deri më tani dhe të bëhemi më krijues”.

Duke filluar nga studimet e psikologut Eduard Deci, Jessica Lahey ka revolucionarizuar mënyrën e saj të sjelljes me fëmijët, si të sajët, ashtu edhe të të tjerëve. Stimujt për refleksion nuk mungojnë. “Lloji i arsimit që prindërit u përcjellin fëmijëve sot – shkruan në “Lërini të gabojnë” – me tmerrin e mosarritjes së suksesit dhe me super protektivitetin, ka dëmtuar aftësinë, pavarësinë dhe potencialin akademik të një “brezi të tërë”.

  1. Mjaft më me arsimimin konkurrues, sepse për shkak të furisë së konkurrimit, kemi mbërritur në një delir të vërtetë të ankthit dhe paranojës. Le të ndalemi një çast dhe le të marrim frymë mirë. Studimet tregojnë se ky qëndrim i prindërve nën presion është jashtëzakonisht ngjitës.

2. Sa herë që rendim për t’i ndihmuar fëmijët, ose për t’i shpëtuar nga situata të vështira, dërgojmë një mesazh shumë të qartë: i konsiderojmë të paaftë dhe të padenjë për besimin tonë. Le t’i lëmë të gabojnë.

3. Dështimi që të rinjtë regjistrojnë kur ne e lirojmë shtrëngimin tonë, dhe i lëmë që të bëjnë gabimet e tyre, nuk është vetëm pjesë integrale e të mësuarit, por është pikërisht përvoja që u mëson atyre të zgjidhin problemet me qëndrueshmëri, efektivitet dhe kreativitet.

4. Mjaft me lavdërime të shfrenuara. Jini të ndershëm me fëmijët tuaj. Lavdërojini ata për aftësinë e ringritjes dhe për përpjekjet që bëjnë për t’u ngritur sërish në këmbë pas dështimeve.

5. Për të favorizuar autonominë dhe në të njëjtën kohë forcuar marrëdhënien me fëmijët tuaj, duhet t’i bëni të kuptojnë se jeni të bindur që do të bëhen persona të aftë për t’u përmirësuar.

6. Një nga gjërat më të rëndësishme që prindërit mund të bëjnë për fëmijët është t’i bëjnë ata të ndiejnë se nuk janë vetëm, se janë pjesë e një konteksti më të gjerë dhe se ne jemi atje për t’i mbështetur, teksa ata kërkojnë vendin e tyre në botë.

7. Studimet kanë treguar se edukimi më i keq i prindërve është ai që ua “heq” dashurinë në rast të dështimit, për t’ua “dhënë” vetëm nëse performanca e tyre është e mirë. Ky stil arsimor godet fëmijët atje ku janë më të prekshëm: tek nevoja për siguri dhe frika nga braktisja.

8.Lavdëroni angazhimin, jo cilësitë e lindura. Dhe jepni një shembull të mirë. Nëse fëmijët tuaj ju shohin duke u përpjekur, edhe nëse dështoni në biznes, ata do të tentojnë të përpiqen nga ana e tyre. Ju jeni modeli i parë dhe më i rëndësishëm për fëmijët tuaj.

9. Prindërit duhet që të mos ndërhyjnë dhe të lejojnë fëmijët të grinden me njëri-tjetrin, sepse këto konflikte i lejojnë fëmijët të mësojnë të përballojnë një kulturë me gjithnjë e më shumë ngacmime. Nëse i lëmë të zemërohen, ata zemërojnë fëmijët e tjerë, pastaj ulen e pajtohen, mësojnë të jenë miq të mirë, të mbrojnë veten e tyre dhe t’u thonë jo sjelljeve që u shkaktojnë siklet.

10. Mbështetni marrëdhënien nxënës-mësues edhe kur është e vështirë. Do të ketë mësues që do t’ju pëlqejnë, të tjerë me të cilët nuk doni të flisni, të tjerë që kërkojnë, të tjerë që nuk do kuptojnë ose nuk kanë aspak pritshmëri të qarta. Dhe kjo është e mirë. Është mirë, sepse këta mësues do të mësojnë fëmijën tënd për t’u përballur me shumë njerëz të vështirë që do të ndeshin në jetë.

Share With:
Translate »
741 Views