Flet nëna e Almirit, djalit shqiptar të vrarë në Maqedoni: Ma mbytën djalin para syve | VIDEO
Një jetë e marrë padrejtësisht, që në moshë të hershme. Një mall që nuk mund ta shuaj as një oqean. Një familje që humbën më të dashurin e tyre. Një nënë që assesi nuk pajtohet me faktin që vogëlushin e saj nuk mund ta përkëdhel në prehrin e saj, ndërsa lotët janë gjëja e vetme përmes të cilës mund ta shpreh gjithë këtë mallëngjim.
I ndjeri Almir Aliu, në vend që bashkë me bashkëmoshatarët t’i bashkohej bankave shkollore, trupi i tij po pushon në dheun e zi. Ndërkohë, vetëm një ditë na ndan nga fjalët përfundimtare në gjykatë, kur pritet drejtësia për të akuzuarin e vrasjes së tij, Boban Iliq. Nëna e Almirit, Mixhevere Kasumi, e kishte shumë të vështirë të fliste, pasi dhimbjen nga humbja e Almirit e ka ende të freskët, ndërsa uron që kjo fatkeqësi të mos i ndodh as armikut. “Unë kisha dashtë që kjo fatkeqësi të mos i ndodh as armikut më të madh, sepse të të humbë fëmiu prej një dore të keqe nuk është e lehtë. Unë si prind e përjetoj shumë rëndë humbjen e djalit. Unë natën e 25 qershorit, deri sa t’i shkoj djalit pranë. Unë shkova me shëru djalin, e se djali po më ndërron jetë, unë nuk mundem ta përballoj këtë të keqe” thotë Mixhevere Kasumi, nëna e Almirit. Duke folur për natën kur ndodhi fatkeqësia, ajo thotë se ende i rrijnë në vesh fjalët e Almirit, i cili vazhdimisht po e kërkonte të atin. “Nuk e harroj kurrë atë natë megjithëse Almiri gjithë atë plagë të rëndë që e ka pasur, thoshte babi ku është, mendonte që e ka mbytur edhe atë”. Mixhevrja thotë se e gjithë kjo situatë ka bërë që ajo të mos mund të ju kushtojë shumë kujdes dy fëmijëve të tjerë, nga mërzia dhe e keqja që e ka kapluar që nga dita kur ka humbur të birin. “Unë çdo moment jam me të, mendjen e kam tërë kohën tek ai, vetëm me trup jam këtu, se mendjen e kam gjithë kohës te ai. Kur i shoh shokët, gjeneratën e atij, unë nuk mundem ta përjetoj këtë të keqe, megjithëse i kam edhe dy tjerë, por unë nuk jam e aftë as për këto tjerët, me ju ndihmu të shkojnë në shkollë, me i kry detyrat, nuk jam e aftë pasi e mbaj mendjen vetëm tek ai”. Ndërsa për atë që Prokuroria ka vendosur që t’ia tërheq akuzat vëllait të Bobanit Bojan Iliqit, nënë Mixheverja tha se është krejtësisht kundër këtij vendimi, duke theksuar se edhe ai është po aq fajtor sa i vëllai.
Momenti fatal ndodhi në natën e 25 qershorit, kur prindërit e kishin dërguar të birin Almirin në spital për të marrë injeksion dhe deri sa ishin duke pritur në radhë, për shkak se ato i lëshuan radhën një personi tjetër që ishte shumë i sëmurë, po ashtu shqiptar, reagoi Boban Iliq, i cili ishte i shoqëruar me të dashurën tij. Këtu filloi një zënkë verbale mes babait dhe të akuzuarit Iliq, e cila më pas në momentin që dolën nga spitali shkaktoi ngjarjen tragjike. Boban Iliqi me një veturë të tipit “Mercedes C200”, në të cilën ishte edhe vëllai i tij Bojan Iliqi, shtypi për vdekje vogëlushin. Por, duke mos përfunduar me kaq, vëllai Bojani doli nga vetura dhe me një shufër hekuri u turr ndaj Sedatit, babait të Almirit dhe dy familjarëve tjerë. Almiri për gati një javë luftoi për jetë, mirëpo duke mos mundur që t’i përballojë lëndimet e rënda. Boban Iliqi ngarkohet me veprën penale “vrasje me paramendim dhe tentim për vrasje”, ndërsa tre familjarët e Almirit Sedat Aliu, Abdulla Aliu dhe Sami Demiri, akuzohen për vepër penale “dhunë”. Për të njëjtën akuzoheshj edhe vëllai i Bobanit, por Prokuroria e ka tërhequr padinë ndaj tij. /TV Shenja/