I riu rrëfen tmerrin që përjetoi në burg: Nënë më fal, do të të nxjerr faqebardhë

Protagonist i rubrikës “Ka një mesazh për ty” sot ishte Leonardi, një djalë i ri i cili sipas rrëfimeve të tij, ka pasur një jetë jo të lehtë si adoleshent. Ai kishte thirrur sot në studio mamanë e tij, për ta falenderuar për të gjithë mbështetjen e dhënë, por jo vetëm, edhe për t’i dhënë asaj një premtim shumë të rëndësishëm.

Leonardi: Unë vij nga një familje që përbëhet nga gjashtë persona, nëna, babai dhe katër fëmijë. Fëmijëria ime nuk ka qenë si ajo e të gjithë fëmijëve të tjerë, arsyeja e parë është se familja ime ka pasur shumë probleme ekonomike, erdhi një kohë që babai dhe nëna ime u ndanë dhe mua më rriti gjyshja. Pas disa vitesh ata u kthyen sërish me njëri-tjetrin, babai im kishte ndryshuar 100 %, nuk ishte më siç ka qenë.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishe ti atëherë?

LeonardiKur u ndanë unë kam qenë 5-6 vjeç. Më pas kur u bashkuan kam qenë 11 vjeç. Unë në moshën 13 vjeçare i jam futur një rruge pa krye, fillimisht fillova duhanin pas një viti fillova të merrja edhe drogë.

Ardit Gjebrea: 14 vjeç e gjysmë ke provuar edhe drogën?

Leonardi: Po, edhe familja nuk më mbante dot nën kontroll, sepse unë dilja nga shtëpia herët në mëngjes dhe kthehesha shumë vonë në shtëpi. E konsideroja shtëpinë si hotel. Mami ishte ajo që më mbante shumë afër dhe madje qante kur unë vonoja shumë për të shkuar në shtëpi, më merrte në telefon, por unë vetëm e fikja telefonin…

 https://www.youtube.com/watch?v=eXl6cIeh_EU

Ardit Gjebrea: Si silleshin shokët e klasës me ty?

Leonardi: Shokët e klasës në shumicën e rasteve më përbuznin, ngaqë vija nga një familje e varfër, talleshin, më shanin, kishte raste që edhe ushtronin dhunë. Një nga arsyet pse unë ju futa kësaj rrugë ishte që ata të fitonin respekt dhe në mos respekt, frikë, që të mos talleshin.

Ardit Gjebrea: Pra në njëfarë mënyrë e kërkove ti shoqërinë e keqe më shumë se sa të kërkuan ata ty? Si e gjete këtë shoqëri të keqe?

Leonardi: Të gjesh një shoqëri të keqe është 1000 herë më e lehtë se sa të gjesh një shoqëri të mirë. Por unë e kisha ndarë mendjen dhe vetëm diçka e vogël më ndante prej tyre, të bëhesha si ata.

Ardit Gjebrea: Ku e gjenit drogën?

LeonardiDrogën e siguroja nga ata. Ata mund ta blinin nga shokët e tyre, nuk e di ku…

Ardit Gjebrea: Me një fjalë duheshin para. Ti ku i gjeje paratë?

Leonardi: Atëherë kjo është edhe arsyeja që përfundova në burg. Unë u kërkoja para prindërve dhe nuk i shpenzoja për arsyet që ju kisha thënë atyre. Duke qenë se për të siguruar drogën duheshin para, unë iu futa rrugës së vjedhjes. Me një nga këto djemtë e grupit që isha futur unë dhe kishim bërë plan që të futeshim në një dyqan të vidhnim një smartfone. Nuk i mendoja dy herë veprimet që bëja, nuk e ktheja kokën pas. U futëm, e morëm celularin dhe zotëria i dyqanit, më ndoqi nga pas, më tha ndalo. Ai lajmëroi edhe policinë, të cilët më kapën dhe më dërguan në burgun e Kavajës, ku ndenja tre javë.

Ardit Gjebrea: Ti ishe vetëm 16 vjeç, cila ishte gjëja që mendove momentin e parë që pe qelinë e burgut?

Leonardi: Nuk e doja më as veten, mendoja si ka mundësi që një djalë në moshën time, që duhej të ishte në bankat e shkollës, isha në fakt në atë qeli burgu. Më vinte çudi nga vetja si kisha përfunduar aty. Java e parë aty ka qenë si ferr për mua.

Ardit Gjebrea: Momenti i parë kur u fute brenda, me çfarë u përballe?

Leonardi: Në dhomën time ishte njëri që le të themi, mbahej si më i forti i burgut. Ashtu funksionon burgu, njëri prej tyre është “kapoja” dhe të tjerët i vijnë nga pas. Unë refuzova që të bëj siç thoshte ai dhe të shihja punën time. Dhe ai më tha: brenda javës ti do vdesësh. Kur e dëgjova këtë gjë në atë moment m’u prenë këmbët dhe duart, por nuk e dhashë veten. Flija gjithmonë me frikë në darkë aty brenda, sepse kisha frikë se shkoja për të fjetur dhe nuk ngrihesha më nga gjumi. Kur zgjohesha në mëngjes mungonin shumë gjëra të miat. Kur dolëm në ajrim, ata kishin bërë një plan, të më vrisnin ose të më rrihnin. Nuk ia arritën dot qëllimit të më vrisnin, kështu që më rrahën brutalisht. Më rrahën në mënyrën më barbare. Unë veprova në mënyrën time, shkova i thashë drejtorit të burgut, që të më largonte nga aty.

Ardit Gjebrea: A ka ndonjë moment që plas sherri kot, pa asnjë motiv në burg?

Leonardi: Po, aty brenda plaste sherri për arsye shumë banale.

Ardit Gjebrea: Po roja si reagonte në këto raste?

Leonardi: Roja bënte një sy qorr një vesh shurdh, bënte sikur nuk dëgjonte asgjë.

Ardit Gjebrea: Ju nuk i denonconit?

Leonardi: Nuk i denonconim, sepse ne nuk kishim as fuqi aty brenda për ta bërë këtë gjë.

Ardit Gjebrea: Si dole ti nga burgu?

Leonardi: Unë pagova të gjithë detyrimet ligjore, pagova 10-fishin e vlerës së telefonit, pagova avokatin. Më pas si dënim m’u dha shërbimi i provës, m’u desh të bëja punë me interes publik. Dënimin e kryeva te Amfiteatri i Durrësit, aty pastroja. Nuk e doja veten kur shihja të rinjtë e tjerë të vazhdonin jetën normalisht, ndërsa unë kisha luajtur me jetën time.

Ardit Gjebrea: Përpara se të vijmë te mami yt, e cila gjatë gjithë kësaj periudhë çfarë ka bërë, meqënëse e ke thirrur sot?

Leonardi: Gjatë kohës që unë kam qenë në burg, mami im ishte ajo e cila edhe kur më vinte për takim, më thoshte, çfarë është bërë është bërë, le t’i harrojmë të gjitha, por të paktën një herë në jetën tënde, tregohu burrë dhe tregoju të tjerëve që mund të ndryshosh dhe kjo fjalë më ka ngelur në mendje.

Ardit Gjebrea: Dhe ty çfarë të ndryshoi?

Leonardi: Më ndryshoi mendimi që familja ime, nuk ka pse të vuajë për mua, nëna ime s’ka faj që t’i rrijnë sytë me lot. Unë e kam thirrur mamin tim këtu sot, për t’i thënë që unë kam ndryshuar, jam penduar për gabimet. Ajo vuan nga një sëmundje, por kjo s’e pengon që ajo të kërkojë punë për t’i ardhur në ndihmë familjes. Unë kam ardhur t’i them që ka ardhur koha të mos punojë më ajo, tashmë do punoj unë për familjen në vend të saj.

Mamaja e Leonardit, Fize, një zonjë tepër e çiltër, mirëpriti mesazhin nga stafi i së “Dielës Shqiptare” dhe ftesën e Gjebreas për t’u bërë pjesë e emisionit. Kur në ekranin e murit ndarës u shfaq Leonardi, mamaja e tij dukej e surprizuar po aq sa edhe e emocionuar dhe iu referua të birit me shaka “mistreci”.

Mesazhi në studio i Leonardit për të ëmën:

Mama, sot të kam thirrur këtu te “Ka një mesazh për ty”, për të të thënë që nuk do të jem më mistrec, por do të jem ai që do e nderojë familjen dhe jo që do e shkatërroj atë. Më ke qëndruar gjithmonë pranë, më ke treguar se më do shumë, shumë faleminderit dhe do të të nxjerr faqebardhë.

Gjebrea-zonjës: Momentet e vështira të Leos, si i ke përballuar?

Fize: Të them të drejtën Ardit, kam derdhur shumë lot për Leonardin dhe jam ndjerë shumë në siklet të madh. Më ka dhënë shumë herë fjalën që do ndryshojë, por ai nuk e ka mbajtur fjalën. Uroj që këtë herë ta mbajë. Ishte shumë e vështirë ta ndryshoja atë, ishte shumë kokëfortë. E zgjoja në mëngjes që të shkonte në punë, por ai nuk shkonte në punë, merrej me gjëra të tjera.

Ardit Gjebrea: Ai sot u ka dhënë një mesazh të fortë të gjithë të rinjve, dhe që unë jam i bindur që ai sot ka kryer kthesën e tij të madhe në jetën e tij dhe jam i sigurt që do t’ju bëjë të lumtur. Ai ka edhe një mesazh tjetër për t’ju dhënë.

Leonardi: Unë e di që ti vuan nga hernia diskale dhe mjaft ke punuar ti për ne. Tashmë ka ardhur koha të punoj unë për ty dhe që të kujdesem unë për familjen. Ti duhet të kujdesesh për shëndetin tënd, pastaj për neve. Ti je më e rëndësishme për shtëpinë, po të mos jesh ti nuk jemi as ne.

Drejtuesi i emisionit Gjebrea i fton të përqafohen teksa i drejtohet Fizes me fjalët “lum ti për djalin që ke”. Leonardi e mbyll minutazhin e tij me një mesazh për të ëmën, por jo vetëm, për të gjithë të rinjtë të cilët ndoshta gjenden në një rrugë të errët, duke iu dhënë atyre një shembull të transformimit që ndodh kur kapesh fort pas një fije shprese që vjen nga dashuria sublime e nënës dhe e familjes.

Share With:
Translate »
785 Views