Pasojat e mungesës së vitaminës D gjatë shtatzënisë
E vërteta rreth vitaminës D
Me siguri keni lexuar nëpër artikuj të ndryshëm që mosmarrja mjaftueshëm e vitaminës D mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të një sërë sëmundjesh. Është e rëndësishme t’i lexoni këto artikuj me kujdes, duke qenë se lidhjet mes tyre nuk provojnë domosdoshmërish shkaktarin dhe pasojat.
Mund të ketë shpjegime të tjera lidhur me lidhjen mes sëmundjeve dhe vitaminës D. Studimet lidhur me vitaminën D vazhdojnë akoma, dhe mund të sigurojnë të dhëna më të sakta nëse suplementet e vitaminës D mund të ulin rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të zemrës, kancerit dhe sëmundje të tjera kronike.
Me pak fjalë, mos përhapni panik dhe të filloni të pini ilaçe; konsultohuni me mjekun për t’u siguruar nëse po merrni lëndët ushqyese të nevojshme.
Më poshtë mund të gjeni 3 nga problemet shëndetësore të lidhura me mungesën e vitaminës D tek nëna gjatë shtatzënisë, që ndikon direkt tek foshnja.
Probleme me të folurin tek foshnja
Gratë që kanë nivele të ulëta të vitaminës D gjatë shtatzënisë janë gati dyfish më të rrezikuara që të lindin një fëmijë me shenja të problemeve në të folur, sipas një studimi australian të publikuar tek revista “Pediatrics”. Rezultatet e studimit nuk vërtetojnë se këto probleme shkaktohen si pasojë e vitaminës D, megjithatë theksojnë rëndësinë e saj në zhvillimin mendor të fetusit. Shkencëtarët mendojnë se ka mundësi që suplementet e vitaminës D mund të ulin rrezikun e zhvillimit të problemeve me të folurin tek fëmijët.
Lindjet e parakohshme
Pas një analize të të dhënave të 2000 grave shtatzëna, shkencëtarët zbuluan se nënat të cilat kishin nivele të larta të treguesit 25-hydroxy të vitaminës D në trup (që matet me një analizë gjaku) janë më pak të rrezikuara që të lindin para javës së 37-të. Autorët e këtij studimi sugjerojnë se vitamina D mund të ketë një efekt mbrojtës duke parandaluar infeksionet bakteriale në placentë, që shkaktojnë lindje të parakohshme. Në një studim tjetër, hulumtuesit shkencorë që analizuan të dhënat nga projekti “Collaborative Perinatal” (një studim i kryer tek më shumë se 42 mijë gra), raportuan se tek nënat me ngjyrë, përqendrimi i lartë i treguesit 25-hydroxy D lidhej me një rrezik më të ulët për lindjen para kohe të foshnjës.
Prishje të dhëmbëve të foshnjave dhe fëmijëve
Vitamina D është shumë e rëndësishme si për shëndetin tonë oral ashtu edhe zhvillimin e dhëmbëve – një tjetër arsye përse duhet të kini kujdes gjatë shtatzënisë.
Gjatë një studimi të publikuar tek revista “Pediatrics” u matën nivelet e vitaminës D tek gratë shtatzëna, më pas u kontrolluan dhëmbët e bebeve në moshën 1 vjeç. Shkencëtarët zbuluan se nënat e fëmijëve që kishin probleme me dhëmbët kishin pasur nivele më të ulëta të vitaminës D gjatë shtatzënisë, krahasuar me nënat e fëmijëve me dhëmbë të shëndetshëm.