“Princesha lesbike e hapsirës” gjendet në shqip dhe prindërit janë shqetësuar
Kush po i shtyn këto lloj mesazhesh te fëmijët dhe pse po futen në mënyrë të fshehtë në faqe me filma të animuar, ku çdo prind do të mendonte se po e lë fëmijën në një ambient të sigurt?” Kjo është pyetja që ngre një qytetar, pasi në një faqe shqiptare me filma dhe animacione të titruara në shqip shfaqet edhe filmi “Princesha Lezbike e Hapësirës (2025)”.
Sipas tij, prindërit hyjnë në faqe të tilla me bindjen se gjithçka që është e animuar është automatikisht e përshtatshme për fëmijët. Për këtë arsye, ai shpreh shqetësimin se futja e filmave që trajtojnë tema të seksualitetit në të njëjtin ambient ku publikohen edhe animacione të tjera mund të krijojë konfuzion dhe t’i ekspozojë fëmijët ndaj përmbajtjeve që, sipas tij, nuk i përkasin moshës së tyre.
Qytetari thekson se fëmijëria duhet të mbetet një periudhë pafajësie, ku fëmijët mësojnë vlerat bazë të jetës nga familja dhe jo nga interneti. Sipas tij, çështje që lidhen me seksualitetin dhe identitetin duhet t’u shpjegohen fëmijëve nga prindërit, në kohën dhe mënyrën që ata e konsiderojnë të përshtatshme, në përputhje me bindjet, traditat dhe vlerat e familjes së tyre.
Ai shpreh shqetësimin se përmbajtje të tilla mund të ndikojnë në mënyrën se si fëmijët e perceptojnë botën përpara se të kenë pjekurinë e duhur për t’i kuptuar. Sipas tij, problemi nuk qëndron vetëm te një film i vetëm, por edhe te fakti që shumë prindër mund të mos jenë në dijeni se përmbajtje të tilla gjenden në platforma që, në pamje të parë, duken si faqe të zakonshme me filma vizatimorë. Për këtë arsye, ai kërkon më shumë përgjegjësi nga platformat, kategorizim të qartë sipas moshës dhe transparencë për përmbajtjet që publikojnë, duke u bërë thirrje prindërve të kontrollojnë gjithmonë se çfarë shohin fëmijët e tyre dhe të mos marrin si të mirëqenë se çdo animacion është automatikisht i përshtatshëm për moshat e vogla.
