“Dhe iku larg…”, rrëfimi i gazetarit të njohur për lamtumirën e babait

Lajmin në telefon para 20 vjetësh: “Babai ka pësuar hemoragji. Eshtë pa ndjenja”, edhe sot e kam të gjallë. Të pa cënuar. Vrapova nga shtëpia drejt veturës e rrugës për në Korçë shihja para timonit vetëm babain. Si një film me seri që shfaqet shpejt. Ja, kur më çonte në kopësht, kur më mësoi notin në gjolin e Pogradecit. Kujtime kur bleu radion, kur zbukuronte bredhin e Vitit të Ri. Më vinin në veshë meloditë që këndonte, porositë si të isha i drejtë, gëzimin e tij kur u bëra gazetar, lumturinë kur u bë gjysh. Takimin e fundit tek pallati i ri që kisha porositur. Trokëllitjen e gotave ndër festa dhe… frenim, mbërrita!

Me vrap drejt spitalit. Kthej kokën e shoh Tashën. Kishte kërcyer në makinë. Nuk e dija. Mendoja se rrugës isha vetë.
Në dhomë babai shtrirë me tubin e oksigjenit në buzë. Nëna e bërë gur. Asnjë muskul nuk i lëvizte.

– E ka goditur, – tha motra mes lotëve!

U ula afër tij e ia vura dorën në ballë, në faqe. I ngrohtë. I butë. Fillova t’i përkëdhel duart. Më kapi ngashërimi. Qaja se, gjëja që doja më shumë atë çast ishin lotët. Shoku im nuk kishte lëshuar një ofshamë gjithë jetën. Nuk ishte sëmurur kurrë rëndë. Në krevat e shihja kur flinte. Kaq. Tani gjithë ai trup veç frymonte. Dhe ndjeja aromën e babait. Si erë mimoze e porsaçelur. Gjithnjë lëkura e tij ma afronte këtë. Kur shtrihesha pranë tij kur isha fëmijë e kur përqafoheshim si burra.
Pas dy orësh doktori na tha se ka pësuar trombozë. Nuk dinte akoma pasojat. Mund të ketë paralizë të plotë a të pjesshme. Nuk dimë më shumë.
Atje e humba. Sillja ndër mend plot raste miqsh e shokësh që kishin prindër me trauma të tilla. Drama të dyanshme.

– “O Zot, po pse tek njeriu më i mirë i botës”, – shfryja. E lotët derdheshin poshtë. Nëna sikur nuk kuptonte gjë. Sikur ishte larg nga ky spital. As pyeste. As reagonte. Më rrotullohej bota. Ajo pa babain ishte si një vazo e pa ujitur. E lidhur kaq fort, sa kur dëgjoj se burrë e grua janë dy gjysma të së tërës, them se e kishin thënë për prindërit e mi. Mendja më punonte pas disa ditësh kur babai do rehatohej në shtëpi e nëna do e lante, e rruante, do i fliste, por… o Zot si do duronim pa na kthyer përgjigje! Si do e pranonim jetën pa të qeshurën, shakatë e humorin e tij. O Zot…

Afër mëngjesit ndjeva që më shtrëngoi dorën. Pashë që buzëqeshi…
-Baba, – u gëzova. E përqafova. Befas u lehtësua shtrëngimi dhe… heshti frymëmarrja. Babai iku. Drejt qiellit.

Atë çast e përktheva si gjestin më të madh të dashurisë së tij ndaj nesh. Nuk donte të na vinte në provë se sa e donim. Se sa do të kujdeseshim për të. Bëri gjestin që kishte bërë gjithë jetën. Iku, duke treguar se na donte më shumë se sa donte veten e tij. Na la në gëzimet tona pa na u bërë barrë. Nuk preku ditët e netët e askujt. Rrëshqiti butë-butë në të Përtejmen siç kishte jetuar. Pa bujë, me zotësi e kurajo. Tubi i oksigjenit nxirrte zhurmë. Infermieri erdhi dhe e mbylli. Babai sikur flinte. Sikur na thosh: “Ecni para, jeta ka plot drama. Një ua hoqa”!
Dhe iku, duke lënë pas humnerën e dhimbjes. Që veç thellohet, bëhet hon i mallit…

/nga Agim Xhafka

Share With:
Translate »
547 Views