Bullizmi në shkollë, adoleshenti i “shkarkohet” të ëmës në shtëpi por i kërkon falje publike
Në shumë raste sjelljen e mirë të tjerët ta marrin për dobësi dhe fare lehtë mund të biesh pre e nëpërkëmbjes dhe bullizmit. Kështu ka ndodhur dhe me adoleshentin 15 vjeçar Sabjanin nga Dushku i Lushnjës. Natyra e tij e qetë që nuk përzihet në “intrigat” e shokëve, që nuk di të kthejë të keqen me të keqe, të përdorë fjalë të pa hijshme për të qenë në “modë” e kanë bërë atë disi të përjashtuar nga rrethi shoqëror. Përveç kësaj ata nuk sillen mirë me të dhe gjithë këtë energji negative ai e ka shkarkuar tek e ëma Flutura në shtëpi. Pavarësisht se mamaja është pika e tij e dobët, kjo nuk e ka penguar që t’i rebelohet duke mos i’u bindur e shpesh duke i ngritur zërin. Kjo situatë është përshkallëzuar më shumë në dy muajt e fundit dhe duke e ditur se i ka sjellë shqetësim dhe mërzitje, Sabjani i ka kërkuar falje publikisht tek “Ka një mesazh për ty” në TV Klan.
Megjithse i emocionuar, përballë moderatorit të programit Ardit Gjebrea ai nuk ka ngurruar për të folur për problemet e tij. Ky është një hap i madh për Sabjanin duke patur parasysh se si natyrë e mbyllur që është ai nuk e ka marrë guximin për të folur me askënd, as me të ëmën. “Nuk kisha kujt ti hapesha ndaj mendoja që ta thoja publikisht. Le ta kuptojnë që nuk jam ai tip që ata mendojnë”, i është përgjigjur 15-vjeçari Ardit Gjebresë kur ky i fundit e ka pyetur se përse vendosi të flasë pikërisht tani dhe publikisht. Mesa duket ka arritur një pikë që ai e ka menduar mirë që nuk mund të vazhdojë më me këtë gjendje dhe në mënyrë indirekte t’u dërgojë mesazh dhe bashkëmoshatarëve të tij në shkollë se me natyrën e tij të qetë dhe të dashur nuk i bën dëm askujt, përkundrazi jep një shembull si duhet të sillet një njeri normal.
“Në shkollë ndihem paksa “ndryshe” nga të tjerët. Ato kanë tipin të thonë llafe të pahijshme. Kjo më ka bërë mua më të tërhequr. Kur ata më thonin diçka mua, unë nuk kam dashur që t’u kthej përgjigje. Ndoshta nuk mund t’ua ktheja dot atyre fjalën dhe i’a ktheja më shumë mamit në shtëpi në vend që t’ua ktheja personave që e meritonin. Për këtë gjë më vjen pak keq sepse nuk e kam treguar veten si në shtëpi edhe në shkollë”.
Sabjani ndihet në faj për sjelljen e tij të ashpër ndaj të ëmës sepse si kryefamiljare ajo ka plot halle të tjera për të përballuar. Ajo ka rritur plot gjashtë fëmijë dhe aktualisht i duhet të kujdeset dhe për një djalë tjetër 30 vjeçar i cili është invalid që prej lindjes. Duke jetuar në fshat, me punë të rënda fizike, barra e mbijetesës bëhet akoma më e madhe.
“Kam dashuri disa herë t’i hapem mamit por s’e kam patur guximin sepse kam patur frikë se mami do thoshte pse nuk e ngre dhe ti zërin si të tjerët. Me mësime nuk shkoj mirë. Deri në klasën e pestë kam qenë nxënës shumë i mirë ndërsa këto tre vitet e fundit jo”, ka shtuar Sabjani. Sjelljen jo korrekte të shokëve ai thotë se e kanë vërejtur dhe mësuesit në shkollë të cilët janë treguar disi indiferentë duke qënë se priren të mbajnë afër ata nxënës që ata i shohin si më të “shkathët”. Ai ka provuar të hapet për ndjesitë e tij me një shoqe e cila “sekretet” e Sabjanit i’a tregoi gjithë shkollës dhe kjo e ka bërë të jetë akoma më i mbyllur që të mos bjerë pre e talljes. Në të vetmin vend ku ai ka gjetur “prehje” është komuniteti i krishterë ungjillor tek një kishë protestante aty në fshat ku Sabjani ndihet mirë sepse e kuptojnë dhe e përkrahin. Ai thotë se nuk mund të dalë jashtë natyrës së tij dhe formimit të identitetit dhe kulturës që ka marrë nga familja. Për të është më mirë që të tjerët ta respektojnë për shkak të sjelljes së mirë dhe shpirtit human sesa nga arroganca apo frika. Të njëjtën gjë i ka thënë dhe të ëmës Flutura kur i ka dhënë mesazhin në studion e emisionit.
“Ti e di që kam shumë gjëra për të të thënë por ngaqë kam emocione po i bie pak shkurt. Të falenderoj për gjithë sakrificat që ke bërë për gjithë ne fëmijët sepse të gjitha problemet ti i ke kaluar me një buzëqeshje. E mbaj mend qëkur isha fëmijë që ti më thoje mua që çfarëdo që të të thonë njerëzit ti duhet t’ua kthesh me buzëqeshje, duhet të rrish gjithmonë pozitiv. Dua të të premtoj që do të të ndihmoj me punët në fshat sepse e di që aty ka shumë punë dhe nuk do të ngre më zërin. Dua të të kërkoj falje për ato gjëra që kam bërë e që ty të kanë mërzitur”.
Flutura është ndier e surprizuar nga fakti që ishte Sabjani përballë saj në një studio televizive duke i thënë ato gjëra, duke e ditur faktin se ai është natyrë e mbyllur. Ajo e ka pranuar ndjesën e djalit dhe është ndier dhe paksa në faj për faktin se mbase nuk i ka kushtuar vëmendjen e duhur për të biseduar me të për mbarëvajtjen në shkollë e për rrethin shoqëror.
Bullizmi mund të lerë pasoja të pariparueshme në shoqëri. Të gjithë duhet të ndërgjegjësohemi e t’i paraprijmë të keqes duke folur me fëmijët, miqtë apo të afërmit për problemet që ata kanë. Sabjani sot foli dhe foli publikisht. Jo vetëm që ruajti marrdhënien e mirë me të ëmën por forcoi pozitat e tij shoqërore. Mbase që sot, shokët e tij do e shohin ndryshe, si të guximshëm që nuk ka frikë të flasë për problemet e tij dhe që përpiqet t’u bëjë ballë me dinjitet. Në shtator Sabjani do shkojë në gjimnaz dhe tani për tani mendon që të jetë sa më larg asaj shkolle që ka qenë deri tani, të shkojë në një tjetër fshat. Jo thjesht për të “harruar” ato problemet e bullizmit por për të hapur një faqe të re në jetën e tij shoqërore.
