Klodiana Shala: Në fillim prindërit nuk më kanë përkrahur
Flet ish-vrapuesja olimpike: Prindërit nuk më kanë përkrahur. “Në 15 vjet kam bërë vetëm 5 ditë plazh”
Edhe pse tashmë nuk është më pjesë aktive e sportit, vrapimit, ajo mbetet padyshim një nga një nga figurat që na ka bërë krenarë në përfaqësimin e vendit në Lojërat Olimpike. Klodiana Shala është atletja që ka thyer më shumë rekorde kombëtare dhe ka fituar më shumë medalje. Ajo është kampione shqiptare dhe rekordmenia absolute në 50, 100, 200, 400 metrave, dhe 110 metrave. Në një intervistë ekskluzive për “Bluetooth” të “Gazeta Shqiptare”, Klodiana na rrëfen jetën e saj pas kësaj shkëputjeje tashmë prej disa vitesh nga garat e vrapimit duke iu përkushtuar palestrës së saj si dhe hobeve të tjera, të cilat prej vitesh i kishte lënë mënjanë. Ajo, gjithashtu, na ka zbuluar një nga pengjet më të mëdha të jetës së saj të cilën nuk ka arritur ta realizojë. Për më tepër në intervistën e mëposhtme.
Klodiana ke disa vite që ke hequr dorë nga sporti, atletika me çfarë po merresh aktualisht?
Normalisht si çdo sportiste në botë, edhe për mua erdhi momenti të mbyll karrierën time protagoniste, por kjo nuk do të thotë që unë jam larg sportit. Që prej shkëputjes nga sporti unë kam hapur një qendër fitnesi timen “Kinetic Fitness Powered By Klodiana Shala” ku jam e angazhuar maksimalisht tani në shërbim të komunitetit me programe të mirëorganizuara dhe edukimin e aktivitetit fizik.
Çfarë të ka munguar më shumë nga përditshmëria e një atleti?
Të qenit atlete në nivel protagonist të lartë për një periudhe të gjatë, siç ishte e imja kërkon një impenjim të jashtëzakonshëm, impenjim të cilin, në fakt, njerëzit e zakonshëm, kur i tregon, iu duken si të pamundura. Tani është një impenjim tjetër dhe sigurisht ke edhe me shumë kohë të merresh me veten. Gjithsesi, emocionin e garës, përqendrimin dhe ngarkesën emocionale dhe fizike përpara shkrepjes së pistoletës, përpara nisjes, është një ndjesi të cilën nuk mund ta gjesh në asnjë moment tjetër. Ai është një moment unik.
Nëse nuk do të ishe sportiste çfarë do ishe? Në fëmijëri çfarë ëndërroje?
Këtë nuk di ta them pasi e kam filluar sportin në moshë të vogël dhe gjithë jetën time e kam pasur të lidhur me të, gjithsesi një pasion i pazëvendësueshëm për mua mbetet gatimi. Në fakt, unë hyj tek ata persona që nuk shikoj ëndrra, (qesh), bëj shaka. Ëndrra ime ka qenë Lojërat Olimpike të cilën e realizova, në fakt, abuzova pak, duhet të them, pasi mora pjesë në 4 – Lojëra Olimpike. Megjithatë një peng i madh i imi, pra një ëndërr e parealizuar ishte arritja në finale, pasi e kisha këtë rezultat në aktivitet e tjera, por fati nuk ishte me mua.
Cilat janë disa gjëra që përfshirja totalisht në sport t’i ka privuar në jetë?
Ou, pse ma bëre këtë pyetje ?! Siç e thashë më parë, impenjimi në këto nivele është maksimal p.sh. maksimumi në orën 9.00 ne ishim në gjumë, pra jeta e natës e ku di unë se çfarë ishin të pa konceptuara për ne. Edhe një detaj tjetër për ta kuptuar, në 15 vjet unë mbaj mend të kem bërë gjithsej vetëm 5 ditë plazh dhe kaq.
Sa të ka mbështetur familja gjatë karrierës tënde, e ke ndjerë mungesën e tyre duke marrë parasysh faktin qe ke jetuar vetëm në një moshë fare të re?
Për hir të së vërtetës, në fillim nuk kanë qenë shumë dakord, por më pas duke parë si rezultatet, por edhe dëshirën time të madhe për të vazhduar, kam pasur përkrahjen e tyre gjatë gjithë kohës. Për sa i përket mallit, normalisht që po, megjithëse unë kam qenë me fat pasi kur unë shkova të stërvitesha në Greqi edhe prindërit e mi erdhen atje. ( Athinë) Kështu që kisha mundësi t’i takoja shpesh.
Çfarë ka ndryshuar në jetën tënde tani që nuk merresh më me sport?
Ndryshojnë prioritetet. Në atë kohë qëllimi ishte një dhe i vetëm, rritja e nivelit sportiv dhe përmirësimi në maksimum i rezultateve dhe arritjeve në nivel kombëtar. Por më së shumti atë ndërkombëtar, kurse tani janë të tjera. Kam më shumë kohë për veten, ndoshta pak më shumë përgjegjësi për të tjerët. Përpiqem që gjatë gjithë kohës të jem e kujdesshme dhe korrekte. Edhe pse duhet të them përsëri se disiplina që kam pasur gjatë periudhës kur isha atlete profesioniste më ka ndihmuar shumë në këtë aspekt.
Ç’mund të na thuash për problemet që kanë ngritur shumë herë sportistet për kushtet në të cilat ata stërviten?
Kjo është një temë shumë e dhimbshme dhe e turpshme. Nuk ka asnjë justifikim mënyra se si qeveritë ndër vite kanë trajtuar sportistët. Unë kam qenë nga ato persona që si kur kam qenë sportiste si tani i kam ngritur dhe do vazhdoj t’i ngre këto problematika. Të kalojnë kaq vjet dhe të mos ketë strategji për sportin është skandaloze. Sportistët tanë ndihen jetime dhe të lënë në harresë. Stërviten në kushte mizerabël me vetëfinancim dhe me një suport që është gati i barabartë me zero nga institucionet përkatëse.
Sa të zhvilluar e kanë shqiptarët kulturën e sportit sipas teje? Palestrën tënde e frekuentojnë më shumë të rinj, të cilët duan një trup të bukur për muajt e verës?
Jemi në nivele të frikshme të sëmundjeve të ndryshme, të cilat lidhen përgjithësisht me aktivitetin dhe përsëri askush nuk denjon të bëjë diçka në nivel institucional. Deviacionet e shtyllës kurrizore janë kthyer në një normalitet: yndyrat, diabeti apo problemet me zemrën. Kjo është dramë. Në fakt jo, përgjithësisht ne kemi një anëtarësi të stabilizuar. Rreth 80% e kësaj anëtarësie e konsideron aktivitetin pjesë të rutinës së tyre ditore dhe ne jemi shumë të lumtur që jemi pjesë e zhvillimit të tyre. Atmosfera që mbizotëron është e jashtëzakonshme dhe jemi kthyer në një familje të madhe ku herë pas here organizohemi edhe me grupe në aktivitete të ndryshme.
Gjithashtu, je përfshirë edhe në politikë, si e sheh si eksperiencë? Do të të shohim përsëri aktive?
Eksperiencë interesante dhe e rëndësishme, në fakt. Politika është ajo e cila vendos se si duhet të funksionojnë gjërat dhe, në qoftë se dëshiron të kontribuosh për vendin apo për një sektor të caktuar, ke më shumë mundësi që t’i bësh gjërat e mundura. Sigurisht që ka presion, ka bërryla, ka shumë gjëra, por në qoftë se di të imponohesh dhe të ruash integritetin, është një fushë ku mund të japësh shumë për vendin. Për sa i përket të ardhmes, mbetet për t’u parë.









