Shumë vite pas humbjes Elvis Presley-t, e bija arrin të bëjë duet me të
Një ekspozitë e fokusuar te karriera e Lisa Marie Presley dhe një festë me rastin e publikimit të albumit me këngë gospel të të atit, Elvis Presley, janë ndër eventet e Elvis Week, gjatë këtij viti në Memphis.
Në një video, realizuar dhe shpërndarë nga Lisa Marie, këndon në një farë mënyre së bashku me të atin këngën gospel “Where No One Stands Alone”, që është edhe titulli i albumit të publikuar pas vdekjes së mbretit të rokut.
Babë e bijë alternohen nën notat e pianos dhe kitarës, në këngën versioni origjinal i së cilës ishte pjesë e albumit të Elvis Presley “How Great Thou Art”, i vitit 1967.
Elvis Presley u nda nga jeta 41 vjet më parë, më 16 gusht 1977, në Memphis. Prej atëherë, çdo vit, fansat organizojnë një lloj pelegrinazhi në Graceland, vendi ku Elvis jetoi për shumë vite dhe ku është varrosur, për të celebruar jetën, filmat dhe muzikën e mbretit të rokenrollit.