Blerina Bombaj: Çfarë duhet t’u jepni fëmijëve për mëngjes në vend të “Corn Flakes”

Trahanaja është një ushqim i lashtë, i përftuar nga fermentimi i drithrave – kryesisht grurit, i cili e bën atë më të shijshëm dhe rezistent në kohë. Por fermentimi nuk përforcon vetëm shijen dhe aromën e një ushqimi, ai e bën atë veçanërisht ushqyes duke i bërë lëndët e tij ushqyese më të përthithshme.

Për të arritur fermentimin, nënat tona e kanë bërë trahananë me kos, i cili disponon bakteret e nevojshme për të përpunuar miellin e grurit. Ky proces kryhet nëpërmjet enzimave të caktuara të cilat shpërbejnë fitatet që mbajnë të bllokuara minerale të ndryshme dhe nuk i lënë ato të kalojnë muret e aparatit tretës.

Për këtë arsye, trahanaja është një ushqim i pasur në hekur, zink, magnez, kalium dhe kalcium. Kosi i ofron miellit të grurit aminoacidet që atij i mungojnë, duke krijuar një proteinë të kompletuar. Për këtë arsye, trahanaja është një burim i pasur proteinash gjithashtu.

Trahanaja prej elbi – një superushqim
Fermentimi i elbit prodhon disa substanca të quajtura beta-glukane, të cilat kanë një efekt të dobishëm në rregullimin e sheqerit në gjak dhe në uljen e kolesterolit. Madje së fundmi, këto molekula duket të kenë efekt pozitiv edhe kundër kancerit. Si rrjedhojë, mund të provoni të shtoni miell elbi te mielli i grurit për të rritur vlerat ushqyese të trahanasë. Përdorimi i miellit integral të grurit i rrit kënaqshëm përmbajtjen në fibra dhe antioksidantë.

Cila është trahanaja më e mirë?
Trahanaja më e mirë është ajo që bëhet me miell gruri të përzier edhe me himë, dhe të zënë me kos. Sa më i vogël raporti i grurit me kosin aq më e ushqyeshme trahanaja. Nëse i shtoni edhe miell elbi vlerat ushqyese përforcohen mrekullisht.

Si ta gatuani?
Pasi e zieni me ujë trahananë, i shtoni pak djathë dhie, vaj ulliri, domate të tharë, speca të kuq të thatë dhe rigon. Madje mund të tentoni t’i shtoni edhe qiqra për ta bërë atë akoma më të kompletuar.

Një kupë trahana është mëngjesi ideale për fëmijët e vegjël
E pasur në minerale, acide organike, proteina dhe fibra, trahanaja është zgjedhja ideale për mëngjesin e fëmijëve. Ajo është superiore ndaj makaronave, orizit, e veçanërisht drithrave të mëngjesit, pasi fermentimi i grurit e bën atë shumë më të ushqyeshëm dhe të lehtë për aparatin e tyre tretës, ndërkohë që u jep atyre lëndën e parë për formimin e kockave dhe imunitetin.

 

Share With:
Translate »
1516 Views