Kush është infermierja që shpëtoi 15-vjeçarin nga helmi i nepërkës | Video

Disa ditë më parë një lajm që fliste për një infermiere heroinë që i shpëtoi jetën një djali 15-vjeçar nga helmi i nepërkës bëri xhiron e rrjeteve sociale. Për ta njohur më tepër infermieren emisioni “Rudina” e ka vizituar atë në një fshat të qytetit të Gramshit. Pavarësisht terrenit të thyer malor dhe rrugës së vështirë, kamera e emisionit “Rudina”, të Tv Klan, ka shkuar në qendrën shëndetësore Tunjë, pikërisht aty ku punon Ruzhdie Xheka.

Ajo është një grua shumë optimiste dhe tregon se punën e infermieres e bën me pasion prej 18 vitesh.

“Unë u nisa vetëm për t’i shpëtuar jetën një djali. Ai ishte nisur nga vendi i ngjarjes me një kafshë dhe unë u nisa nga qendra shëndetësore në këmbë dhe kam ecur për rreth 40 minuta. E pashë që ai kishte frymëmarrje të thellë, zbehje, pulsin nuk e kapja dot dhe mora mjeken në telefon dhe i tregova shenjat klinike. Fillimisht e pastrova dhe e shtypa pjesën ku ishte pickuar për të nxjerrë sadopak helm”, tregoi Rruzhdie Xheka.

Edhe pse i ka shpëtuar jetën një 15-vjeçari, ajo tregohet tepër modeste duke thënë se ka bërë vetëm detyrën.

“Pikësynimi i parë është vetëm shërbimi, të shpëtojmë jetë. Këtu është terren malor, por duhet të japim ndihmën e shpejtë. Jemi të papërtuar. Këtë punë e bëj me pasion”, tha infermierja.

Zona ku ndodhi ngjarja është në një terren shumë të vështirë, i papërshkrueshëm nga automjetet. E vetmja mënyrë kalimi janë kafshët, ose në këmbë. Madje Ruzhdies teksa shkonte në vendin ku ndodhi ngjarja mund t’i rrezikohej edhe jeta.

“Fshati ku ndodhej Ledio Dollani, që ishte pickuar nga nepërka, ndodhet rreth një orë në këmbë. Unë vajta për të shpëtuar djalin, por mund të kisha rrezikuar veten, por fati më ndihmoi”, tha Xheka.

Share With:
Translate »
788 Views