14-vjeçarja kthehet pas apelit në emision, nëna: Ishte e tronditur

Emisioni “Me zemër të hapur” nga Evis Ahmeti në News 24 i ka ardhur në ndihmë një nëne nga Tirana duke e bashkuar me vajzën që ishte zhdukur prej 10 ditësh. Nëna denoncoi më 5 tetor në emision largimin e vajzës nga banesa duke ngritur dyshime se ajo ishte mashtruar dhe shfrytëzohej për prostitucion. Nëna Alma Çuka foli me emra konkretë dhe denoncoi personat që dyshonte se i kishin marrë të bijën por edhe reagimin negativ të policisë ndaj saj.

Nga e premtja kur u transmetua dhe dëshmia e nënës, stafi i emisionit “Me zemër të hapur” u vu në kërkim të 14-vjeçares nga Tirana. Vajza ishte larguar nga banesa për të disatën herë dhe askush nuk kishte informacion për vendndodhjen e saj.

E tronditur nëna e 14-vjeçares rrëfeu marrëdhënien që kishin së bashku, vështirësitë në rritjen e saj si nënë e vetme pasi bashkëshorti jeton në Gjermani.

Sipas të ëmës largimi i Besjonës nga banesa ishte për qëllime shfrytëzimi pasi një grup ‘kriminelësh’ prej kohësh kishin bërë të tilla tentativa me teë.

Pas transmetimit të rastit vajza është kthyer në banesë, ndërsa nëna e saj ka treguar sot në emision gjendjen e së bijës.

“Ishte ora 2 e ditës së shtunë. Isha në punë turn i dytë atë ditë. Kur hapa derën e gjeta vajzën aty. Mu mbushën sytë me lot, u trondita dhe njëkohësisht u gëzova se thashë të paktën pas emisionit falë emisionit vajza u rikthye në shtëpi. I thashë vajzës futu brenda biri se do iki në punë, më tha mirë mami.
Dola në krye të rrugës dhe lajmërova policinë iu tregova që vajza është rikthyer. U ktheva dhe nga puna nuk shkova. Pas nja 5 minutash më vjen policia, e shoqëroi vajzën bashkë me mua në polici.

Nuk e pyeta asgjë vajzën. Mu duk shumë e zverdhur, e tronditur. Mua më mjaftonte që ishte aty”, tregoi e ëma pa i mbajtur dot lotët.

Ajo tha gjithashtu se pritja e policisë këtë radhë ishte ndryshe. “Nëse më parë më kishin kërcënuar me gjobë, nuk ishin ato ulërimat, përbuzja. Pas procedurave në komisariat, vajtëm për verifikime atje ku vajza kishte qëndruar.
Vajza kishte qëndruar në Institut, aty ku unë dyshoja, vërdallë nëpër Tiranë dhe një zonë të ‘Siri Kodrës’. Kishte qenë me persona, asnjë minutë nuk kishte qenë vetëm. Kishte qenë me 2-3 apo 5 persona meshkuj e femra. Nga mosha 15 deri në moshën 18 vjeç. Është një grup”, tha gruaja.

Ajo ngriti gishtin e akuzës ndaj të njëjtët persona që kishte përmendur edhe më parë në emision.

“Vajza është lidhur me këta persona me anë të një shoqeje që unë e kam përmendur. Ajo është komplet strumbullari. Policia ka mbajtur 2-3 persona nga këta me të cilët është shoqëruar vajza, të tjerët janë të lirë”, tregoi ajo.

Gjendjen e rënduar të vajzës e kanë konfirmuar edhe avokati dhe psikologja që janë takuar me 14-vjeçaren e cila ende nuk është rikthyer në shkollë. Të ftuarit e emisionit bashkë me nënën e vajzës këmbëngulën për një punë më të mirë nga shkolla por dhe familja që vajza të mos ketë më probleme të tilla.

Share With:
Translate »
726 Views