Temperatura ekstreme edhe në ditët e para të javës, meteorologët këshillojnë nxënësit
Viti ka nisur me mot të acartë dhe temperatura shumë të ulëta. Ditën e hënë fillon shkolla e duke qenë se e hëna dhe e marta, sipas sinoptikanëve, do të jenë ndër ditët më të ftohta të janarit, meteorologët u rekomandojnë fëmijëve të vishen në mënyrë të përshtatshme për të përballuar të ftohtin.

Meteorologët thonë se janari është i ftohtë, si pasojë e ardhjes së masave ajrore me origjinë polare, që kanë ndikuar deri në detin Mesdhe. “15-ditëshi i parë i janarit do të jetë i ftohtë, me temperatura të ulëta në vlera negative, e me reshje të pakta. E shtuna ishte dita më e ftohtë e muajit, me temperatura -13 gradë Celsius dhe në zona të caktuara -14 gradë. Gjatë 15-ditëshit të dytë do të kemi më shumë reshje shiu dhe dëbore, por temperaturat do të vijnë drejt vlerave normale të dimrit, -5, -6 gradë”,– thotë për Top Channel Adiola Bani, meteorologe. Sa i përket javës që vjen, që shënon edhe nisjen e shkollës pas pushimeve dimërore, sinoptikanët bëjnë këtë parashikim.

“E hëna do të jetë e ftohtë, me temperatura nga -9 më e ulëta në 7 gradë më e larta. Ndërsa e marta, që do të jetë dita më e ftohtë e javës që vjen, temperatura do të jetë -11 gradë Celsius në Peshkopi dhe Ersekë. Të mërkurën, do të kemi ardhjen e një sistemi vranësirash drejt vendit tonë, që do të sjellin reshje dëbore, pasi mbetemi në vlera negative. Temperaturat do të vijnë duke u rritur deri ditën e premte”,- tha më tej Adiola Bani.