I ftohti i acartë sjell mbylljen e disa shkollave në vend, meteorologët paralajmërojnë ndryshime të motit
I ftohti i acartë ka sjellë mbylljen e disa shkollave në shumë bashki të vendit, ndërkohë që në të tjerat mësimi është zhvilluar me orare të reduktuara.
Edhe në shkolla ku nuk mungon ngrohja, orari u reduktua, pasi temperaturat zbritën nën -10 gradë Celcius, çka solli vështirësi për nxënësit. Temperaturat shënuan nivele nën zero, por në të gjitha shkollat e bashkisë së Durrësit, sistemet e ngrohjes nuk ekzistojnë. Mijëra nxënës detyrohen të qëndrojnë të veshur me xhupa, kapuçë e doreza në klasa, duke cënuar zhvillimin e një procesi normal mësimor.
Top Channel shkruan se disa drejtori shkollash kanë vendosur të shkurtojnë orët e mësimit. Ka shkolla ku dhe ngrohëset elektrike nuk janë përdorur në këto ditë të ftohta, për shkak të defekteve në rrjetin elektrik.

Në rrethin e Lushnjës janë 53 shkolla dhe 31 kopshte. Nga këto, 6 shkolla janë të pajisura me sisteme ngrohjeje me naftë dhe 5 shkolla janë të pajisura me soba me dru, që furnizohen nga bashkia, ndërsa pjesa tjetër ka si zgjidhje ngrohëset elektrike.
Edhe në disa shkolla në Vlorë, mësimi zgjati më pak këtë të martë, për shkak të të ftohtit.
Po kështu, edhe shkollat e Tiranës e zhvilluan mësimin këtë të martë me orë të shkurtuara, për shkak të mungesës së ngrohjes në pjesën më të madhe të tyre apo të mbingarkesës së rrjetit elektrik. Në shkollën 9-vjeçare “Bajram Curri” dhe në shkollën “Emin Duraku”, një pjesë e nxënësve ishin në oborr dhe deklaruan se gjatë orëve të mësimit nuk i kanë hequr xhupat, dorezat dhe kapucët.
Në këto kushte, shumë nxënës zgjedhin të mos shkojnë në shkollë.
Ndërkohë, sinoptikanët deklarojnë se ditët e ardshme, temperaturat do të fillojnë të rriten.