Flet djali që shkoi me mamin në mbrëmjen e maturës:”Jam fëmija i 12 i familjes, e ndjeja”

Sabit Tusha dhe nëna e atij Hate u kthyen në një sensacion të vërtetë në rrjetet sociale pasi u shfaqën bashkë në mbrëmjen e maturës.

Ata folën sot për herë të parë në një emision televiziv. Të ftuar tek “Ftesë në 5”, Sabiti dhe Hatja rrëfyen parapërgatitjet për tek festa ku u bënë të famshëm, pa e parashikuar aspak diçka të tillë.

“E kam planifikuar që në fillim të vitit të 3-të. Mendoja se do dilte diçka e bukur, por nuk ma ka marrë mendja kurrë se do bëhej një bum kaq i madh.”, u shpreh 18- vjeçari.

Sabiti është më i vogli i 12 fëmijëve të zonjës Hate, e cila në moshën 67-vjeçare ka 28 nipër e mbesa!

Maturanti i pazakontë u shpreh se ka një lidhje të veçantë me mamanë e tij, të cilën e konsideron njeriun më të shtrenjtë të jetës.

Zonja Hate nga ana e vet, nuk ishte fort entuziaste fillimisht, kur mori ftesën e papritur nga i biri.

“I thashë: ‘Mos po bën ndonjë gabim që po më merr? Të gjithë shkojnë me shoqet!’ Por ai më tha: “Jo, dua të shkoj me zemrën teme.”‘

“Me partneren e jetës seme”, e korrigjoi Sabiti gjatë intervistës bashkë tek “Ftesë në 5”, “Nuk mendoj se ka partnere më të bukur se ajo që të ka bo kokën, apo jo?”

Sabiti madje tha se kishte disa vajza të cilat i pëlqenin dhe mund t’i kishte ftuar ta shoqëronin, por ishte i vendosur në zgjedhjen e vet. Dhe nëse kush jeton në qytetet qendrore mund ta shikojë si diçka të pranueshme për qytetet periferike, Sabiti tregoi se të shkuarit me mamanë në mbrëmjen e maturës, e konsideron një thyerje tabuje.

“Mentaliteti në Kukës nuk është shumë modern dhe nuk preferojnë të bëjnë gjëra si kjo që bëra unë. Të gjithë preferojnë të marrin një partnere të moshës së tyre.”

Pati edhe nga ata të cilët e kritikuan 18-vjeçarin përse nuk ishte kujdesur për veshjen e mamasë. E pyetur nëse u mendua gjatë për ta zgjedhur, zonja Hate u përgjigj:

“Siç isha në shtëpi, ashtu shkova.”

“I kërkova që të shkoja t’i blija një veshje, por nuk pranoi.”, tregoi Sabiti, ‘Më tha: “Më e bukur, nuk bëhem më. Çfarëdo të vesh, kjo do të ngelem.”‘

Share With:
Translate »
1011 Views