Në QSUT ndalohen synetlliqet, faturat e sterilizimit e kanë kaluar planin e financimeve
Muaj më parë një shkresë absurde mbërriti në spitalet e vendit ku kërkohej të limitoheshin operacionet për shkak të kostove që krijonte koncesioni i sterilizimit të sallave.
Sipas burimeve zyrtare nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor shpenzimet për shërbimet e sterilizimit të personalizuar të pajisjeve kirurgjikale të kryera nga partneriteti publik-privat (PPP) ishin 2 miliardë lekë ne vitin 2018, ose 28.3 për qind më shumë se plani prej 1 miliardë e 560 milionë lekësh që ishte programuar në buxhetin e vitit 2018 (shih tabelën në fund).
Pagesat më të larta me koncesionin e sterilizimit duket se kanë kushtëzuar investimet në shëndetësi. Në një raport të posaçëm për ecurinë e të ardhurave dhe shpenzimeve për vitin 2018, Fondi ka arsyetuar se, programimi i investimeve ndryshoi në fund të vitit të kaluar, nisur nga pamundësia në realizimin e sistemeve informatike të parashikuara. Mosrealizimet u përdorën për të mundësuar në programe të tjera të shpenzimeve, që rezultonin me tejkalime
Faturat e sterilizimit e kanë kaluar planin e financimeve në buxhet me 461 milionë lekë ose 3.6 milionë euro.
Sipas FDSKSH janë kryer rreth 90 mijë ndërhyrje, sipas kompleksiteteve, pa përfshirë paketimet me avull. Burimet nga QSUT pohuan se për këtë shkak është ndaluar kryerja e disa operacioneve të lehta, të tilla si, bërja synet.
Koncesioni i sterilizimit ka zënë 5.1% të shpenzimeve totale në shëndetësi, sipas tabelave zyrtare.
Kontrata
Kontrata e koncesionit të sterilizimit ka hyrë në vitin e tretë të zbatimit të saj, por ka shfaqur defekte serioze në drejtim të parashikimit të kostove. Kërkesa për ndërhyrje kirurgjikale ka qenë më e lartë se parashikimi për financimin e saj në buxhetin e vitit 2018. Vitin e kaluar qeveria e pagoi koncensionarin e sterilizimit, kompaninë Sani Servis me 1,625,300 lekë , ose 4 për qind më shumë se plani në buxhet, ndërsa fatura e vërtete e koncesionit i ka kaluar të 2 miliardë lekët.
Kompania SaniServise, që ofron shërbimin e sterilizimit për instrumentet kirurgjikale, raportoi 265 milionë lekë fitime ose rreth 2.1 milionë euro, sipas deklarimeve zyrtare në bilancin 2018. Të ardhurat e kompanisë arritën në 1.7 miliardë lekë vitin e kaluar, ndërsa norma e fitimit ishte 15%. Fitimet e SaniServis u trefishuan në raport me 2017.
Kompania SaniServis ka fituar koncesionin e sterilizimit, me një total prej 12,3 miliardë lekësh për periudhën 2016-2025.
Për çdo operacion që ofrohet në sallat shqiptare të operacionit, SaniServis paguhet 37,700 lekë për ndërhyrjet me intensitet të lartë, 22,300 lekë për ndërhyrjet me intensitet të mesëm, 13,900 lekë për ndërhyrjet me intensitet të ulët.
Ekspertët e Shëndetësisë pohojnë se kostot e sterilizimit kanë kaluar kostot e operacionit, dhe kjo është absurde sipas tyre.