Historia frymëzuese në Tiranë! Motra i dhuron veshkën motrës së vogël… Nëna: I mbushja rrugët e Tiranës me lot
egi dhe Oriada nuk janë si gjithë motrat e tjera. Kanë dhënë provën më të madhe të dashurisë, të historisë frymëzuese, të një gjesti që shpëton jetë: Të një mrekullie! Megi Kola, më e vogla, pas 27 vitesh nga lindja, më në fund i është kthyer jetës normale, dhe kjo falë motrës së saj të madhe, Oriadës: Ajo i dhuroi veshkën.
Të dyja motrat, krah njëra-tjetrës rrëfyen historinë e tyre sa të dhimbshme aq dhe motivuese, në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv, me moderatorët Alban Musa dhe Suada Daci.
Që në moshë të vogël Megi u diagnostifikua me një problem të lindur në veshka, që e bëri të privohet nga jeta normale që një fëmijë mund të kishte…Deri sa mbeti edhe pa arsim. Që në moshën 9-vjeçare, Megi, sot 27 vjeçe, ju nënshtrua operacionit të saj të parë, ku hoqi një pjesë të veshkës, pasuar me një tjetër operacion në moshën 19-vjeçare, nga i cili mbeti me një veshkë, edhe ajo e dëmtuar. Një kalvar vuajtjesh që mori fund për familjen Kola, kur motra e madhe, Oriada, 30-vjeçare, nënë e tre fëmijëve, i dhuroi veshkën motrës së saj. Ishte transplanti i një muaji më parë që i dha mundësinë Megit të rinisë jetën nga e para. Ajo ka dëshirë të studiojë, të bëhet arkitekte, të shijojë historinë e dashurisë së saj, dhe të jetojë e lumtur krah familjes, për të cilën nuk gjen fjalë t’i shprehë falenderimet për mbështetjen që i kanë dhënë. Ndihmën më të madhe ja dha edhe shteti shqiptar, pasi me gjetjen e dhuruesit, motrës së saj, u sigurua i gjithë fondi për të bërë transplantin falas, i cili për fat, rezultoi me sukses.
“Fëmijëria ka qenë shumë e vështirë, por me kurajë dhe me çdo gjë kaloi. Kaloi pas 27 vitesh, por prapë me mbështetjen e familjes kam qenë super, i kam kaluar vështirësitë”, thotë Megi, e cila asnjëherë nuk është dorëzuar përballë vështirësive dhe i ka kaluar me buzëqeshje.
“Shokë e shoqe kam plot, jam tip që i afroj të gjithë njerëzit, kur isha e vogël…largoheshin. Kur isha në spital ne 6-katëshi më rastis një djalë dhe dilte në ballkon, E pyes dhe më thotë kam një problem të vogël në kanal të urinës dhe i them për atë ke rënë në depresion? I thashë unë jam me një veshkë dhe…i thash ej mos u mërzit”, thotë Megi.
Veç Oriadës, Megi ka edhe një motër tjetër, Ornelën. Të dyja motrat e saj, e kanë lënë shkollën dhe pas 8-vjeçares nuk e kanë nisur më gjimnazin. Ato kanë menduar t ëpunojnë, në mënyrë që të siguronin të ardhura për familjen dhe për të përballuar sëmundjen e Megit.
Çfarë pune mund të bëjë një 14-15-vjeçare?
“Kam filluar në një rrobaqepësi. Kanë qenë disa vuajtje të vogla për të mbështetur Megin. Kur ke një të sëmurë në shtëpi e gjithë familja e ndjen vuajtjen. Ne përpos Megit kishim edhe mungesën e mamit. Babi ka bërë sakrificën e vet, se të mbash dy vajza të vogla, edhe ai ka meritat e veta. Spitali ka harxhime, vetëm me punën e mamit dhe babait nuk mbahemi. Megi rrinte me muaj në spital”, tregon Oriada, motra që i dhuroi veshkën Megit.
Por vetë Megi, dëshiron të bëhet arkitekte.
“Kam dëshirë të shkruaj një libër, në të ardhmen që do kem më shumë kohë, që nuk do jem më nëpër spitale, se atje kalon pak në depresion…Por jam tip që çdo gjë e marr me sportivitet, pavarësisht se mund të kem dhimbje, nuk e tregoj. Unë sa kam dalë nga salla dhe kur më pyesnin a kë dhimbje, jo thoja. Do të vazhdoj edhe një herë studimet. Më ka pëlqyer ideja e të qenit diku larg, të studioj për arkitekturë”, thotë ajo.
Si më e vogla, por edhe me sëmundjen e rëndë që i ‘rrëmbue’ fëmijërinë, Megi ishte më e përkëdhelura e shtëpisë.
“Kur vjen mami nga spitali thotë se Megi nuk duhet të mërzitet. Dhe ne një natë përpara kishim bërë debat për punë lodrash dhe kemi qarë atë natë, se thonim se Megi shkoi në spital se nuk i dhamë lodrat. Në spital i çojmë kukullën më pas me një dedikim ‘na fal që nuk ta dhamë’. Kemi pasur goxha vuajtje”, rrëfen Oriada.
Por si e kujtojnë motrat ditën e operacionit? Oriada ka qenë e vendosur për të mos u tërhequr.
“Bëjmë analizat dhe u përshtata. Unë nuk e kisha idenë dhe nuk e dija si funksiononte dhe unë i them si shkon dhe doktoresha më thotë ‘një e carë e vogël nuk do të ndjesh shumë dhimbje dhe unë po e dëgjoja dhe u qetësova’. Dhe Megi më thotë se heqja ka shumë dhimbje, mezi do të çohesh dhe do të lëvizësh. Dhe më thotë nëse nuk je e bindur ta bësh, mund të ndërrosh mendje. Dhe unë i them jo, do ta bëj. Unë kam qenë që në fillim që u përshtata me Megin dhe do ta bëja, Por kur na erdhi e papritur, dhe thoja po sikur një analizë të mos dalë mirë? Pasi do të ndërpritej transplanti dhe thoja ishalla nuk del problem. Kur bënim analizat, në çdo analizë prisnim përgjigjen si është? Motra tjetër u përjashtua që në fillim“, tregon Oriada, treksa kujton edhe momentet e para kur e ka diskutuar këtë vendim të rëndësishëm me familjen e saj, bashkëshortin.
“Në momentin që u diskutua nuk ka pasur asnjë kundërshtim. Burrin e kam pasur në krah gjithmonë dhe unë që kur pata thënë se do e bëj, burri ishte dakord. Ka qenë një mbështetje shumë e madhe”, shton Oriada, sot nënë e tre fëmijëve.
Oriada Kola
Ishte një rastësi fatlume, rënia në kontakt me Ministrinë e Shëndetësisë dhe sigurimin e fondit.
“Me ministren ka folur mami me babin, e takojnë rastësisht te Bulevardi i ri. Ajo thotë më thoni për gjithçka se do u ndihmoj dhe pas një muaji na marrin. Faktikisht shtanga. Ngela dhe i thashë motrës a je e sigurt? Do të shkojmë të bëjmë analizat?”, tregon Megi.
Megi dhe Oriada Kola ne studion e “Rreze Dielli” me Alban Musen dhe Suada Dacin
Teksa nuk gjen fjalë për të falenderuar Oriadën, për gjithçka ka bërë për të, Megi thotë se edhe vetë ajo do ja ishte dhuruar veshkën nëse e motra do ishte e sëmurë.
“Ta dish: Sillu mirë, motra sillu mirë se ta keqtrajtova veshkën…”- thotë Megi me humorin që e ka shoqëruar në jetën e saj që vështirë se mund ta përballonte dikush me kaq sportivtet… “Shumë shumë faleminderit motra, nuk ka fjalë për të të falenderuar“, përmbyll Megi.
Nëna e motrave me historinë e veçantë: I mbushja rrugët e Tiranës me lot
Sado e fortë dhe që i merr çdo gjë me sportivitet, pika e saj e dobët, është nëna. Myzejen Kola është një grua e rrallë. Mes vështirësive për të rritur tre fëmijë, asaj i është dashur t’i dedikojë gjithë vëmendjen e saj Megit, si më e vogla që kishte lindur me probleme në veshka. Ka dashur të ishte ajo dhuruesja e vëshkës për vajzën e saj, por nuk rezultoi me grupin e njëjtë të gjakut. Lajmin e mirë e gjetjes së fondit nga Ministria e Shëndetësisë për kryerjen e transplantin falas, Myzejen e përjetoi njëherazi me gëzim dhe hidhërim.
“Rrugët e Tiranës nuk e di sa herë i kam larë me lot. Në moshën 9 vjeçe është operuar i hoqën çerekun veshkës. 19 vjeçe ka hequr veshkën komplet, unë kam qenë me një rrogë, humbën edhe shtëpinë tek firmat ka qenë momenti më i vështirë i jetës sime. Me fëmijë të sëmurë, me tre fëmijë, burrin, nuk e di si më ka ruajtur zoti mendjen e kokës. Çdo gjë është në dorë të zotit.
Në momentin kur më kanë marrë në telefon hajde se ka ardh buxheti për transplantin, jam gëzuar dhe jam hidhëruar shumë. Do bëja transplantin e gocës, po fëmijën tjetër…ky ishte momenti më i vështirë i jetës sime. Nuk e dija grupin e gjakut, bëra analizën, i thash po e bëj se dua t’i jap veshkën vajzës. Të nesërmen më tha që nuk e ke. Po si t’ja bëj tani thash? jam ulur në lokal tek bulevardi vetëm qaja se nuk doja të më shihte goca. Goca më ka thënë, lus zotin që mos të të dilte ty. Pse ta heqësh ti veshkën se ke vuajtur gjithë jetën me mua. Mendoja më shumë për gocën tjetër se ishte me tre fëmijë,nuk ishte vetëm. Punën do e linte me raport, tre fëmijët në shtëpi, nuk e di si o e përballojë. Po shyqyr zotit ka pasur mbështetje nga njerëzit e burrit. Dhe unë kam ndenjur në spital me të dyja vajzat. I them të gjithë nënave të kenë forcë, durim, se me besim tek zoti do e përballojnë çdo gjë, sidomos tek fëmija. Por njeriu duhet të bëhet fortë. I them vetëm të bëhen të forta”, tregon nëna e tyre në një intervistë të realizuar nga gazetarja e emisionit “Rreze Dielli”, të cilën vajzat e ndoqën në studio dhe mës lotësh nisën të flasin për nënën e tyre.
Megi: Më është gjendur pranë gjithmonë, edhe e palodhur, nuk thoshte asnjëherë që u lodha me ty. Deri në momentin e fundit e kam pasur pranë.
Oriada: Mami rrinte gjithë natën në spital dhe të nesërmen në mëngjes shkonte në punë. Dhe prap në spital. Nuk e kuptonim ndjenjën e nënës. Tani që jam bërë vet me fëmijë, do bëja të njëjtën gjë si bëri mami. Nuk ka thënë një herë u lodha, ose të vijë dikush të më ndihmojë.
Megi: Edhe kur u operuam të dyja nuk linte njeri tjetër. Jo, do rri unë me të dyja thoshte.
Alban Musa: Çfarë do t’i thoje mamit?
Megi: Nuk kam fjalë, (përlotet).
Oriada: Ajo ka qenë engjëlli mbrojtës.
Edhe babai ka qenë mbështetje e madhe për to. I ka bërë edhe ai analizat, por nuk ka dalë i përshtatshëm për dhurimin e veshkës.