Një super lajm për fëmijët shqiptarë në Itali
Në Cremona të Italisë fëmijët do të mësojnë për herë të parë shqip! Lajmin e ka dhënë Komuniteti Shqiptar i qytetit verior, i cili me anë të një njoftimi rrëfen se emri i shkollës ku do të mësohet gjuha amtare do të jetë “Mësonjëtorja” dhe se sot do të bëhet inaugurimi i saj në ambientet e shoqatës La citta dell’ umo”.
“Komuniteti Shqiptar në Cremona feston: Të shtunën 28 shtator 2019, ora 15:00 hapjen e shkollës së parë shqipe për fëmijë “Mësonjëtorja” në Cremona, në via Legione Ceccoperi nr 21/23 (Borgo Loreto) në ambientet e shoqatës La citta dell’ umo”. Ju falenderojmë paraprakisht për pjesëmarrjen tuaj. Nismëtarët/ Strafi drejtues/ Komuniteti”, shkruhet në njoftimin e Komunitetit Shqiptar në Cremona.
E kur dëgjon “Mësonjëtorja” kujtesa të shkon larg në kohë në 7 mars të vitit 1887, atëherë kur u hap shkolla e parë shqipe në Korçë.
Hapja e saj ishte si rezultat i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që synonte të mësoheshin të drejtat kombëtare përbrenda Perandorisë Osmane.
Një emër, dy shkolla, por një qëllim! Ashtu sikurse “Mësonjëtorja” e parë shqipe në Korçë edhe ajo në Cremona kanë një qëllim, mësimi dhe shkrimin i gjuhës amtare për të mos humbur gjurmët e saj. E këtë herë fëmijët shqiptarë që jetojnë në Itali do ta kenë këtë fat.
Mesa duket në qytetin e vogël verior të Italisë, por me një histori të pasur e ku arti e kultura marrin një tjetër dimension ky lajm është pritur gëzueshëm, jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga mikëpritësit italianë.
Gazeta lokale e qytetit “La Provinca Di Cremona” i ka dedikuar një hapësirë mes faqeve të saj hapjes dhe inaugurimit të “Mësonjëtores” duke e cilësuar hapjen e shkollës si një rikthim të identitetit të humbur.