Ekspertët po flasin për rrezikun e vërtetë, po kur është vala e dytë e virusit?

Studimet vazhdojnë të nxjerrin rezultate të reja, të zgjojnë pikëpyetje të tjera, si edhe të hamendësojnë për një valë të re, edhe më të rrezikshme të Covid-19.

Një grup studiuesish në Britani po bëjnë thirrje për një kujdes të shtuar të masave mbrojtëse ndaj koronavirusit, sepse, sipas tyre, vala e dytë do të jetë edhe më e rrezikshme. Kjo deklaratë e thënë edhe më herët nga shumë ekspertë ka si pikë referimi gripin e famshëm spanjoll, një shekull më parë, i cili kulmin e vet e pati në valën e dytë. Megjithatë, ka ende mistere…

Ekspertët po kërkojnë të rishihen urgjentisht rregullat për të kuptuar nëse vendi është përgatitur siç duhet për ‘rrezikun e vërtetë’ të valës së dytë të koronavirusit.

Në një letër të hapur të botuar në gazetën mjekësore britanike, ministrat u paralajmëruan për veprime urgjente dhe masa drastike për të parandaluar humbje jetësh për shkak të virusit.

Kirurgë, mjekë dhe infermierë kanë hedhur firmën e tyre në letër. Ky paralajmërim vjen pasi kryeministri britanik, Boris Johnson, njoftoi fundin e bllokimeve nga pandemia.

Jo më larg se dje, Johnson tha se baret, restorantet, kinematë dhe parukeritë mund të hapen. Rregulli i distancës sociale prej 2 metër do të reduktohet në 1 metër.

Ndërkohë që kudo në botë situata është e paqartë, në Shqipëri vijon të mbetet i fortë apeli i mjekëve dhe specialistëve. Instituti i Shëndetit Publik vijon të apelojë qytetarët që të bëjnë kujdes me Covid-19.

Me anë të një reagimi në Facebook, ISHP shkruan se e vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike prej të paktën 1 metër nga njëri-tjetri.

Më tej ata shtojnë se duhet kujdesur për higjienën personale dhe duke larë duart vazhdimisht.

Mesazhi i ISHP:

Parandaloni përhapjen e COVID-19 ????

E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike prej të paktën 1 metër nga njëri tjetri, duke u kujdesur për higjienën personale dhe duke larë duart vazhdimisht, mbani maskat kudo ku mbajtja e distancës fizike nuk është e mundur, bizneset dhe institucionet të respektojnë protokollet e përcaktuara.

Çdo rast i identifikuar pozitiv, duhet të vetizolohet.

Share With:
Translate »
674 Views