Mëmësia, një identitet i ri

Çdo grua mban brenda vetes nënën dhe vajzën e saj. Carl Jung psikiatër, psikoanalist

Mëmësia është një ngjarje thelbësore në jetën e një gruaje. Shumë përpjekje janë të nevojshme për t’u përshtatur dhe për të marrë kënaqësinë maksimale të mundshme nga kjo fazë e re, aq e pasur me emocione.

Mëmësia është një fazë e jetës e karakterizuar pothuajse në pjesë të barabarta, nga një entuziazëm dhe stres ekstrem. Nënkupton thyerjen me identitetin e mëparshëm dhe lindjen e një roli të ri: atë të nënës. Dhe, megjithëse ky rol i ri është i mirëpritur me dëshirë e shpresë të madhe, detyrimi për të marrë përsipër përgjegjësi, interesa të reja dhe madje edhe ndjesi të panjohura, mund të bëhen shqetësuese. Si në çdo fushë tjetër, kur ndërmerret diçka e re, gjithmonë përjetimi është fillestar dhe me peshën e pritshmërive të të tjerëve.

Të qenit nënë, baba, do të thotë të largohesh nga kujdesi për veten, të kujdesesh për shëndetin, trupin, mirëqenien tënde dhe të kesh nevojë ta bësh atë për një qenie tjetër. Një qenie që për shumicën e kohës zë majën e përparësive.

Tiziana Schirone, kërkuese universitare e Psikologjisë Dinamike në sektorin shkencor disiplinor, ka një qasje interesante kur bëhet fjalë për rrjedhën e re të jetës që pëson një grua kur mbetet shtatzënë. Gjithmonë mëmësia është konsideruar një ngjarje natyrore që i atribuohet fatit të femrës. Nëse e vendosim atë midis sjelljeve natyrore, rrezikojmë të mos marrim kuptimin e thellë të thelbit të tij dhe të shkatërrojmë shumëfishimin e saj historik dhe antropologjik.

Nga ana tjetër, nëse i atribuojmë një vlerë ekskluzive shoqërore, mohojmë rrënjëzimin e saj trupor dhe të pavetëdijshëm. Gruaja është konsideruar gjithmonë kujdestare e dashurisë amë. Kjo dashuri e pakushtëzuar nënkupton mohimin e vetes në lidhje me fëmijën dhe braktisjen e çdo aspekti individualist që nuk është në harmoni me kujdesin e fëmijës së saj. Ky koncept, megjithatë, nëse neglizhon kontekstin kulturor, përvojat dhe brishtësinë e lidhur me transformimin psikik të gruas, gjatë shtatzënisë humbet të gjithë kompleksitetin e situatës.

Dëshira për mëmësi, siç shprehet Monique Bydlowski, psikiatre dhe psikanaliste, është e lidhur ngushtë me konceptin e borxhit të jetës. Një borxh i përmbajtur brenda marrëdhënies nënë-bijë që e bën këtë të fundit të ndiejë detyrimin për t’i transmetuar jetën që i është dhënë asaj. Mëmësia është në thelb marrëdhënie. Të lindurit si nënë paraqet një udhëtim krijues dhe kompleks për gruan, e cila duhet ta çojë atë në transformimin e identitetit.

Pjekuria psikike, jo gjithmonë e verifikueshme, nënkupton një braktisje përfundimtare të gjendjes emocionale të një vajze, një identifikim me shifrat domethënëse të ekzistencës së vet dhe forcimin e aftësisë për t’u kujdesur për tjetrin. William Stern, psikolog dhe filozof, identifikon në lindjen psikologjike të nënës, atë situatë psikike në të cilën gruaja gjendet, duke krijuar një hapësirë mendore në të cilën duhet të riorganizojë një identitet të ri dhe të përmbajë idenë e fëmijës së saj.

Në fakt, metamorfoza trupore korrespondon me një krizë të identitetit, që e çon atë të ripërcaktojë rendin e saj mendor. Gjatë periudhës së shtatzënisë, fillon e merr formë një gjendje mendore që Stern e përcakton si një konstelacion të nënës, e domosdoshme derisa gruaja të lidhet me aftësinë harmonike të akordimit emocional me të porsalindurin. Procesi, i cili çon në lindjen e identitetit të nënës, kërkon një punë intensive psikike, që sheh përsëritjen e konflikteve të lidhura me fazat themelore të ekzistencës së një personi.

Shtatzënia përfshin një dialog të heshtur dhe të fshehtë me fëmijën e ardhshëm, por edhe me vetveten fëminore dhe figurën e nënës së saj. Gjatë shtatzënisë, gruaja përjeton një proces regresiv dhe fantazmatik, që e çon atë drejt humbjes graduale të kufijve të identitetit të saj. Në ndryshim nga sa ndodh me njeriun, në fakt, është e mundur që ajo të rivendosë gjithëpushtetshmërinë dhe shkrirjen origjinale me barkun mëmësor. Kthimi në narcizizëm parësor, i karakterizuar nga një investim libidinal (epshor) mbi veten, është një mekanizëm thellësisht i pavetëdijshëm, i mbushur me fantazi fëminore shkatërruese, persekutuese, depresive dhe dëmshpërblyese.

Procesi i përvetësimit të prindërimit dallon, prandaj shfaqen imazhe dhe fantazi, të lidhura me përvojën e fëmijërisë dhe me përfaqësimin e identitetit prindëror. Humbja e kufirit të identitetit, për të cilën gruaja nuk mund të jetë plotësisht vetëm, përfshin, në të vërtetë, përballjen e dhimbshme me kthimin e të kaluarës; konfliktet e jetuara dhe ambivalenca e përjetuar në të kaluarën ndaj figurës së nënës së vet. Nëse nuk tejkalohen në mënyrë harmonike, këtu dhe tani, mund të çojnë në shfaqje psikopatologjike, duke ndikuar negativisht në marrëdhënien nënëfëmijë.

Sipas Donald Woods Winnicott, pediatre, psikanaliste, kur nëna mbështetet sa duhet nga një njësi mjedisore të shëndetshme, aftësitë e saj pasurohen, dhe burimet themelore mbahen gjallë në të në mënyrë që fëmija të përjetojë ndjenjën e vazhdimësisë së ekzistencës. Në këtë mënyrë do të realizohet një gjendje mendore e cila përmban në vetvete fillin e përbashkët që bashkon shtatzëninë, lindjen dhe fazën e varësisë.

“Egoja e një gruaje do të duhet të gjejë një kompromis harmonik midis identifikimit të saj thellësisht të pavetëdijshëm me fëmijën që përballet me të ardhmen, dhe identifikimin e saj me nënën, e cila kthehet nga e kaluara”. Vetëm në këtë mënyrë do të jetë e mundur, përmes shtjellimeve të pavetëdijshme, të pranojë fetusin, i cili nga të qenit trup i huaj do të bëhet një objekt i brendshëm, dhe të identifikohet me nënën, duke marrë përsipër vetë funksionin e nënës. Në periudhat e fundit të shtatzënisë, ndryshimi i ri që do të shoqërojë gruan do ta çojë atë në dallimin gradual psikik të vetes nga vogëlushi, duke e predispozuar atë për lindje.

Mëmësia karakterizohet si një përvojë e brendshme unike, një periudhë krize dhe shndërrimi të identitetit. “Të ecësh në jetë gjithmonë nënkupton tejkalimin e një pauze, ‘një vdekjeje të vogël’”; të endesh së bashku me rrënjët e një personi, është një mënyrë për të lënë një hapësirë dhe kohë të njohur për të shkuar drejt hapësirave dhe kohës së një historie të re që do të vijë. Të mësosh të ecësh, “të shkosh përpara”, “të qëndrosh”, do të thotë të jesh i aftë të ndahesh nga objekti origjinal dhe familjar, në mënyrë që të përballesh me të panjohurën.

Përgatiti: Orjona TRESA | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 148

Share With:
Translate »
369 Views