A është gjumi sekreti për fëmijë më të zgjuar?

Mund të duket sikur asgjë e rëndësishme nuk ndodh në kohën e gjumit gjatë ditës së parashkollorëve, por në të vërtetë ata edhe në atë kohë janë të zënë duke mësuar.

Shumë gjëra ndodhin në trurin e një parashkollori që po dremit, duke përfshirë këtu edhe përpunimin dhe ruajtjen e kujtimeve që janë baza e të mësuarit.

Kjo e bën kohën që fëmija fle gjatë ditës, po aq të rëndësishme sa edhe programet që tentojnë të tërheqin vëmendjen e tij, shprehen kërkuesit në një studim të fundit.

Në raportin e Akademisë Amerikane të Shkencës, Rebecca Spencer, profesoreshë e psikologjisë dhe neuroshkencës në Universitetin e Masaçusets Amherts, thotë se gjumi i drekës duhet të jetë pjesë e axhendës së çdo fëmije që nuk ka mbushur akoma shtatë vjeç.

Në studim, Spencer dhe kolegët e saj u mësuan 40 parashkollorëve një version të lojërave të memories. Loja konsiston në mbajtjen mend të imazheve që lojtari i hap rastësisht dy e nga dy, e më pas duhet të kujtojë figurat e ngjashme që t’i pakësojë figurat derisa të fitojë.

Herën e parë që fëmijët e luajtën lojën, u lejuan të flinin për 77 minuta pas kësaj. Më vonë atyre iu kërkua të luanin përsëri.

Javën tjetër, po këtyre fëmijëve iu kërkua të përsërisnin procesin, vetëm se kësaj here kërkuesit i mbajtën fëmijët zgjuar në vend që t’i vinin të flinin.

Shmangia e gjumit çoi në rënien me 10 për qind të saktësisë së fëmijëve gjatë lojës së kujtesës.

Edhe pse profesoresha e psikologjisë mendoi për faktin se fëmijët mund të ishin të lodhur dhe të shpërqendruar ngaqë nuk ishin vënë të flinin dhe u kërkoi prindërve t’i vinin në gjumë gjatë natës që ta bënin testin përsëri të nesërmen, lidhja midis performancës dhe gjumit të ditës mbeti e fuqishme.

Fëmijët që flinin rregullisht gjatë ditës e kryen testin e kujtesës më mirë sesa fëmijët që nuk merrnin një sy gjumë në drekë ose pasdite, për shkak të rutinës së ditës.

Këto rezultate duhet t’u japin prindërve, drejtorëve të kopshteve dhe atyre që merren me hartimin e programit të parashkollorëve, jo vetëm idenë sesa i rëndësishëm është gjumi, por edhe ide sesi ta inkurajojnë fjetjen gjatë orëve të ndryshme të ditës te fëmijët.

Punët e mëparshme të shkencëtarëve tregonin se përse gjumi i ditës zhvillon performancën njohëse. Gjatë gjumit, kërkuesit besojnë se kujtimet përpunohen në atë mënyrë që ia bëjnë më të lehtë trurit t’i kërkojë dhe t’i nxjerrë ato në momentin e nevojshëm.

Eksperiencat dhe perceptimet përpunohen në hipokampus, i cili krijon kujtimet afatshkurtra, por në mënyrë që të krijohet më shumë hapësirë për materialin e pafundmë që merret çdo minutë, truri vazhdon të punojë edhe kur ne flemë.

Kështu pra, truri ynë edhe gjatë natës sistemon informacionin që kemi marrë duke e arkivuar atë në kujtesën afatgjatë, me qëllimin që në hipokampus të ketë hapësirë për eksperienca të reja.

Për të verifikuar zbulimet e saj, profesoresha e psikologjisë dhe neurologjisë, Rebecca Spencer, studioi gjithashtu edhe një grup tjetër prej 14 parashkollorësh.

Edhe këta luajtën të njëjtën lojë, si pasin kishin fjetur ashtu dhe kur ishin pa gjumë dhe e lidhi trurin e fëmijëve me elektroda për të monitoruar aktivitetin e trurit të tyre gjatë kohës që ata flinin gjatë natës në laborator.

Koha sesa gjatë flinin fëmijët nuk ndikonte në saktësinë në lojë. Ajo që kishte rëndësi, ishte hapësira në hipokampusin e fëmijës, sa më i hapur të ishte ky për kujtime të reja, aq më e mirë do të ishte performanca e parashkollorit në lojë.

Studiuesja këshillon në bazë të të dhënave që dolën nga kërkimet e saj, që prindërit t’i kushtojnë shumë rëndësi gjumit të ditës për fëmijët e tyre nëse duan që këta të kenë rezultate të mira në shkollë dhe arritje të larta në jetë.

Share With:
Translate »
807 Views