Adoleshenti humbet shikimin ngaqë prej vitesh, hante vetëm patate, bukë dhe patatina

Një adoleshent nga Bristol, Angli, humbi shikimin përfundmisht si pasojë e dietës së dobët ushqimore. 19-vjeçari ka qenë nazeli që në fëmijëri dhe nuk i pëlqente aspak tekstura e perimeve dhe frutave. Si pasojë, ushqehej vetëm me patate, patatina, bukë të bardhë, proshutë dhe salsiçe.

Kjo dietë ushqimore i shkaktoi dëme të pariparueshme në nervat optikë. I riu ka humbur shikimin përfundimisht. Nëse dëmi do të ishte kapur më herët, do të kishte shpresë.

Nëna e tij foli anonimisht dhe tha se gjithçka nisi kur i biri ishte shtatë vjeç. “Kthehej nga shkolla me drekën e paprekur. I përgatisja sanduiçe të shëndetshëm, i jepja mollë me vete dhe s’hante asgjë. U shqetësuan dhe mësuesit,” tha ajo. “Ka qenë gjithmonë i dobët, prandaj s’jemi shqetësuar për peshën. Ushqimet e pashëndetshme asociohen përherë me obezitetin, por ai ishte i dobët si shkop.”

Familja kuptoi se diçka nuk shkonte kur djali humbi dëgjimin në moshën 14-vjeçare dhe shkurtimisht më pas, një pjesë të shikimit.

“Do të ishte mirë të punonte, por s’bën dot asgjë. M’u desh të lija punën që të kujdesem për të. Po merr suplemente vitaminash, por vijon të hajë të njëjtat gjëra. E bindëm të pinte lëngje frutash për pak kohë, por hoqi dorë,” thotë nëna e 19-vjeçarit.

Djali vuan nga një çrregullim i të ushqyerit që e bën të jetë tejet i ndjeshëm ndaj shijeve, aromave, teksturave dhe pamjeve të ushqimeve të caktuara.

Burimi: The Guardian

Share With:
Translate »
1009 Views