Aksident fatal në Tiranë, 31-vjeçari me motor përplas për vdekje babanë e ministres Pirdeni
Një aksident fatal në Tiranë i ka marrë jetën babait të ministres së Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni.
87-vjeçari Luan Pirdeni ndërroi jetë te Spitali i Traumës, në kryeqytet, pak orë pasi u përplas nga një motor.
Ngjarja e rëndë ndodhi te kryqëzimi i rrugës “Bardhyl” me rrugën “Kongresi i Manastirit”, në Tiranë, ku 87-vjeçari u përplas teksa lëvizte me biçikletë.
Ai u dërgua me urgjencë në spital, por nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të rënda. Policia arrestoi autorin e aksidentit, 31-vjeçarin Sejdi Milla, dhe vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan shtetasin S. M., 31 vjeç, pasi në kryqëzimin e rrugës “Bardhyl” me rrugën “Kongresi i Manastirit”, duke drejtuar motomjetin, është përplasur me biçikletën me të cilën lëvizte shtetasi L. P., 87 vjeç.
Si pasojë e aksidentit, 87-vjeçari ka humbur jetën në spital.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit