Alarmi nga fruthi, ekspertët: Ky gabim i prindërve po rrezikon jetën e fëmijëve

Më shumë se 20 mijë raste të njerëzve të prekur nga fruthi janë regjistruar në Evropë vitin e kaluar pasi prindërit kanë anashkaluar vaksinimin e fëmijëve, paralajmërojnë ekspertët. Sipas organizatës Botërore të Shëndetësisë, përhapjen më të madhe fruthi e ka pasur në vendet ku furnizimi me vaksina ka qenë i ulët ose është ndërprerë.
Fruthi është një sëmundje ngjitëse që mund të parandalohet me anë të vaksinimit. Megjithatë, vitin e kaluar në të gjithë Evropën rastet u shtuan me 400%, me 21.315 njerëz të infektuar me fruth dhe 35 viktima, një shifër kjo shumë e lartë krahasuar me vitin 2016, ku janë raportuar vetëm 5,273 raste të prekur me fruth.
Numri më i madh i rasteve janë raportuar në Rumani, Itali, Ukrainë, Greqi, Serbi, Taxhikistan dhe Francë. “Çdo person i ri, i prekur nga fruthi në Europë, na kujton se fëmijët dhe të rriturit e pa vaksinuar, pavarësisht se ku jetojnë, mbeten në rrezik të preken nga sëmundja dhe ta përhapin te të tjerët që nuk kanë pasur mundësi të vaksinohen. Me mbi 20 mijë raste të personave të prekur nga fruthi dhe 35 jetë të humbura vetëm në vitin 2017, janë një tragjedi të cilën thjesht ne nuk mund ta pranojmë”, thotë dr. Zsuzsanna Jakab, drejtore e Zyrës Rajonale të OBSH-së për Evropën.

Vetë Zv.ministrja e Shëndetësisë në Shqipëri, Mira Rakacolli, deklaroi për Komisionin e Shëndetësisë se vetëm në Tiranë janë regjistruar 132 raste të njerëzve të prekur nga fruthi, ku 74% e tyre kanë qenë të pavaksinuar. Deri tani 2 fëmijë kanë humbur jetën nga fruthi në vend.
Fruthi është një sëmundje virale shumë ngjitëse që mund të çojë edhe në komplikacione më serioze.

Çdokush mund të preket nga fruthi nëse nuk është vaksinuar, megjithatë ështё i pёrhapur mё shumё tek fёmijёt e vegjёl mbi moshёn 6 deri nё 8 muaj, pasi para kёsaj periudhe janё antitrupat e fituar nga nёna. Fillimisht shfaqet me simptoma si të ftohjes, ndërsa pas disa ditësh fillojnë të shfaqjen puçrra në lëkurë.
Fruthi mund të çojë edhe në komplikacione më të rënda, si abort tek gratë shtatzëna, ënjtje të trurit dhe rrezik për vdekje nga pneumonia. Virusi përhapet nëpërmjet kollës dhe teshtitjes nga kontakti i afërt me personin e infektuar.

Share With:
Translate »
1203 Views