Altin Goci pa fjalë nga letra emocionuese e të bijës: Princi i kaltër që më mësoi çfarë është dashuria e familjes…

Krahas rrëfimin emocionues për ndarjen nga jeta të prindërve të tij, këngëtari Altin Goci ka folur edhe për gjënë tjetër më të shtrenjtë që janë familja dhe fëmijët.

I ftuar në “S’e Luan Topi”, Goci ka mbetur pa fjalë nga letra e së bijës, e cila përmes rreshtave e konsideron të atin “princin e kaltër që i ka mësuar se ç’janë vlerat e babait, se ç’është dashuria e familjes”.

Erjona: Njeriu nuk është kurrë i përgatitur për t’u ndarë nga prindërit.

Goci: Padiskutim, është një gjë e jotja që t’i me ta je rritur prej vitesh.

Erjona: Por ata që na qëndrojnë afër janë familja, fëmijët.

Goci: Është ligji i kompensimit. Familja ime është forca ime, edhe në të tilla raste… Kloa dhe Hana janë dashuritë, forcat e mia.

Erjona: Kloa sot na ka sjellë një letër që e ka shkruar vetë. “I dashur babi, së pari dua të të uroj që ashtu i mbarë siç je ti të shkojë çdo gjë në jetën tënde. Ti je jastëku ku unë mbështes kokën, je pasqyrim i mirësisë, dashurisë, përkushtimit, sinqeritetit, drejtësisë dhe mençurisë. Babi im i shtrenjtë, ti je një thesar i pasur me pasuri shpirtërore dhe vlera njerëzore të cilat mi ushqen çdo ditë dhe më shumë. Je një borë e bardhë njësoj si shpirti yt i pastër. A të kujtohet kur dorë për dore shkonim në kopsht njësoj si dy shokë të ngushtë. Ti nuk e di se sa forcë më jepje dhe ma hiqje si me magji frikën time të shkuarit në kopsht. Po kur më ushqeje dhe më tregoje përralla me “Beatles”, e mban mend? Që e vogël më ke mësuar se ç’janë vlerat e babait, se ç’është dashuria e familjes dhe kështu pa e kuptuar u rrita pak dhe nga pak. Por a do të mbetem në sytë e tu gjithmonë e vogla jote? Që atëherë ke qenë dhe do të mbetesh për mua princi i kaltër. Je një model prindëror i përkryer për mua dhe Hanën që sakrifikon çdo gjë për të na lumturuar. Mbase njerëzit ndonjëherë nuk të vlerësojnë aq sa duhet, por për mua t’i je shembulli i një artisti të kompletuar, nga ata prej vërteti që nuk bëjnë kompromis me famën. Koncerti yt i fundit më bëri edhe njëherë të ndihem krenar për babin tim. Je shoku, vëllai dhe miku im më i mirë. Të falënderojmë për gjithë lodhjen dhe sakrificat që ti bën për ne. Babi, mos e harro kurrë që je melodia dhe ritmi i jetës time.”

Goci: Uau… Më la pa fjalë më saktë. Më duhet pak kohë që të marrë veten, por më vjen mirë që këtë lodhje dhe përkushtim ndaj famijëve, Kloa e ka përkthyer në këto fjalë të bukura që më lanë mua pa fjalë. Kloa vazhdon të jetë ashtu, e bukur, e zgjuar, e dhembsur… Këto fjalë që më tha më çoi pikërisht pas në kohë kur e çoja në kopësht.

 

Share With:
Translate »
75 Views