Altini tregoi se babai i tij ka qenë pedagog i lëndës anglisht dhe dashurinë për stilin anglez të jetesës e ka marrë nga ai.

Altini tha se i ati jepte mësim në Akademinë e Arteve, dhe në një farë mënyrë ai është rritur aty, nga ku ka marrë edhe shkëndijën e parë për artin. Ndërkohë që nga nëna ai u shpreh se ka marrë ‘veshin për muzikë’ dhe të qenit në kërkim të perfeksionist. “Iu jam mirënjohës për këtë që jam sot”, theksoi ai, teksa shtoi se dhe me motrën, që jeton në SHBA, ka një marrëdhënie të jashtëzakonshme.
Këngëtari tregoi edhe për bashkëshorten, me të cilën është njohur nga mesi i viteve ’90, kur kanë qenë shumë të rinj. Ata kanë shijuar për vite me radhë dashurinë e tyre, e më pas kanë ndërmarrë hapin për të krijuar një familje.

Ata janë prindër të dy vajzave, të cilat së bashku me të ëmën e tyre e surprizuan Altinin me një videomesazh, ku kishin zgjedhur fjalë të veçanta për t’i thënë, duke bërë që këngëtari të emocionohet në studio.

Në fund të rrëfimit Altin Goci këndoi këngën “Ëndërroj”, duke e bërë më të bukur mbylljen e programit “Dola te Ola” për këtë të diel.