Ambasadori suedez hap dyert e rezidencës; Rrëfen përvojën e tij katër vjeçare bashkë me familjen në vendin tonë

NGA: GENTIAN MINGA/ FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ

Ambasadori Ndisi hapi dyert e residences së tij për herë të parë, e Living pati kënaqësinë të kishte familjen e bukur suedeze në faqet e numrit të revistës së verës. Në një bisedë të ngrohtë me gazetarin Gentian Minga , ambasadori e bashkëshortja e saj folën për katër vitet e tij në Shqipëri, përshtypjet për këtë vend të vogël, por me bukuri të jashtëzakonshme dhe me njerëz miqësorë.

Johani është i lumtur që do të kthehet në vendin e tij, që i ka munguar shumë gjatë këtyre viteve, por është i sigurt se do ta marrë malli për Shqipërinë. Tashmë ka shumë miq këtu. Edhe për zonjën Ndisi, Shqipëria ka qenë një vend interesant. Linalotta është prokurore karriere e reforma në drejtësi nëpër të cilën po kalon vendi ka qenë një përvojë e veçantë, interesante për shumë arsye. Sipas saj, roli i një prokurori është i ngjashëm në të dyja vendet.

Familja Ndisi mblidhet për të bërë një fotografi, ku mungon Sibylla, një mace tipike shqiptare, të cilën e kanë shpëtuar nga rruga e do ta ndjekë familjen deri në Suedi. “Jemi katër goca dhe dy djem”, thotë me shaka Linalotta. Përfitoj nga rasti dhe i hedh një sy shtëpisë. Mobilim i thjeshtë, pa ngarkesa.

Një sahat i vjetër druri ka udhëtuar që nga Suedia. Edhe një llambë me dizajn tipik skandinav e Galerisë Nordike, që i përket vitit 1960. Shandani prej hekuri, punuar me dorë, është i rajonit të Dalarnës dhe daton në vitet 1900. Simbolizon dashurinë, ndaj ka formën e zemrës. Më tërheqin vëmendjen disa libra për fëmijë, me ilustrime nga artistja Stina Wirsén.

Emmylou e vogël dëshiron të na i tregojë. Janë libra të mirë, pasi të ndihmojnë me problemet e vërteta, si fjala bie të mos nervozohesh, të mos ndihesh i lënë pas dore, i papëlqyer dhe të tjera si këto. Në verandën e pasme janë disa biçikleta, të mëdha e të vogla. Familjes Ndisi i pëlqen të pedalojë nga liqeni. Fotografitë kanë mbaruar dhe jemi duke shkëmbyer përshtypjet e fundit me zotin Ndisi e zonja Linalotta. Emmylou e vogël ka përfunduar pjatën me “gravalax” dhe i vëllai, Reuben-i, është duke ngritur pjatat nga tryeza.

Sigurisht që nuk është aspak e çuditshme të gjesh prova të barazisë gjinore në një familje suedeze, megjithatë gjesti i tij më pëlqen e më bën të buzëqesh instinktivisht.

Living: Çfarë dinit për Shqipërinë para se të vinit në vendin tonë?

Linalotta Ndisi: Kisha lexuar për Shqipërinë para se të shpërnguleshim këtu, në veçanti për reformat në sistemin e drejtësisë. Asokohe punoja në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm në Suedi dhe autoritetet ishin në diskutime e sipër për mundësitë e nisjes së një projekti të përbashkët në lidhje me të gjitha hallkat e drejtësisë mes dy vendeve. Ky projekt tanimë ka më shumë se dy vjet që funksionon me sukses. Kisha dëgjuar gjëra të bukura për vendin tuaj edhe nga një mike që jetonte këtu më parë. Më pati treguar për njerëzit e mirë dhe për ushqimin e mrekullueshëm.

Ku keni shërbyer para se të vinit në Shqipëri?

Pesë vitet e fundit para se të vinim në Shqipëri, kemi jetuar në Suedi, por më herët im shoq ka punuar në Bruksel dhe në Zimbabve. Të dy bashkë kemi punuar si pjesë e përfaqësisë suedeze në Bashkimin Europian në Bruksel, gjatë kohës që Suedia mori presidencën e Bashkimit Europian, në vitin 2009. Ai ka punuar me politikat e marrëdhënieve me jashtë, ndërsa unë në fushën e drejtësisë.

Detyrës suaj këtu po i afron fundi. Çfarë përjetimesh keni tani që do të largoheni nga vendi ynë?

Një mori përjetimesh. Do të kthehemi në “shtëpi”, në Suedi, gjë për të cilën jam e lumtur, sepse do t’u bëjë mirë fëmijëve, por edhe për Shqipërinë do të më marrë malli. Kanë qenë vite të bukura dhe interesante. Kemi mësuar shumë.

Cili është kujtimi më i bukur që do të merrni me vete?

Hera e parë që vizitova Gjirokastrën me disa miq. U ulëm poshtë vreshtave gjatë perëndimit të diellit, para një zjarri bubulak dhe fëmijët nuk pushonin së ngrëni, ngaqë të gjitha gjërat ishin të shijshme. Por edhe vizita në fabrikën e maskave në Shkodër, ku u futëm në një botë magjike, plot imagjinatë, ndërkohë që jashtë bënte vapë dhe shojet e këpucëve gati po na shkrinin.

Ju jeni një prokurore në karrierë. Sistemi i drejtësisë në Shqipëri është në një moment delikat dhe interesant. Si do ta përkufizonit nga pikëpamja profesionale?

Vitet që kalova në Shqipëri kanë qenë interesante. Vendi është duke ndërmarrë reforma rrënjësore në sektorin e drejtësisë, në shumë përmasa. Po rindërtoni institucionet e drejtësisë, prokurorët po ndryshojnë mënyrën se si punojnë, po përmirësoni të gjitha mjetet e mundshme për të siguruar pavarësinë e nevojshme të institucioneve. Edhe pse kjo është sfiduese dhe aspak e lehtë, besoj te përmirësimi i figurave të drejtësisë, si nga ana profesionale ligjore, ashtu edhe për mënyrën si i percepton populli, pasi njerëzit duhet të besojnë më shumë te sistemi. Kam mësuar shumë gjatë punës sime, ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme. Roli i një prokurori në Shqipëri ka shumë ngjashmëri me atë të një prokurori në Suedi, por edhe ndryshimet mes tyre nuk janë të pakta.

Si është të jetosh larg vendit tënd?

Jeta si e huaj në Shqipëri ka shumë përfitime. Gjëja më e rëndësishme është se shqiptarët të bëjnë të ndihesh e mirëpritur. Janë kureshtarë, kanë interes dhe janë të gatshëm të ndajnë me ty kulturën dhe pikëpamjet.

Keni pasur mundësi ta shikoni të gjithë Shqipërinë?

Kemi udhëtuar shumë, por jo aq sa duhet. Ka ende shumë për të parë. Bregu i jugut është magjik, por jam e lumtur që më në fund vizituam edhe Valbonën, për të cilën mendoj se është zona më e bukur që kam parë. Do të kthehemi sërish për të eksploruar më tej, sepse Shqipëria ofron shumë.

Me aq sa keni parë, cili është qyteti juaj i parapëlqyer?

Tirana është qyteti që njoh më mirë. Më duket ende një qytet i vogël, edhe pse kohët e fundit po zgjerohet. Më pëlqejnë ngjyrat dhe dritat e kryeqytetit. Ndihem si në shtëpi. Vendi që vizitoj më shpesh është Parku i Madh, Kodrat e Liqenit. Një vend miqësor, ku njerëzit shëtisin me biçikleta, me nipërit e mbesat dhe luajnë buzë liqenit. Të ngjitem në Kalanë e Petrelës është një tjetër pasion, pasi aty ka kodra magjepsëse.

E pëlqejnë fëmijët Shqipërinë? Cili prej tyre është më i lidhur me Tiranën dhe si ndihen tani që do të largohen?

Fëmijët e pëlqejnë shumë Shqipërinë dhe kudo janë trajtuar shumë mirë. Nuk e kanë kuptuar ende sa kanë marrë nga Shqipëria, se sa shumë është bërë ajo pjesë e tyre, vetëm në rastet kur e nisin fjalinë me “O..”, dhe përdorin shpesh “Obobooo”. Kur të kthehemi në Stokholm do t’iu mungojë dielli.

Cili është ushqimi juaj i parapëlqyer?

Gjithçka. Levreku, shegët, byreku me petë…

Po kënga juaj e parapëlqyer shqiptare?

Nuk di kë të zgjedh mes “Lulebore”, që e kemi kënduar në korin tonë dhe “Mirëmëngjes” nga Alban Skënderaj. Kur ishim një herë në Korfuz, përjetuam një moment të bukur kur një miku ynë zgjodhi një këngë që ta këndonim në karaoke e publiku shqiptar u çmend kur na dëgjoi ta këndonim.

Jeni e lumtur që do të ktheheni në Stokholm?

Mezi pres detyrën time të ardhshme në Njësinë Kombëtare të Krimit të Organizuar, por edhe që të jem sërish pranë familjarëve dhe miqve. Është bukur kur ke më shumë ngjashmëri me njerëzit që ke afër. Këtu më thonë të gjithë “je shumë e përmbajtur”. Tani njerëzit pranë meje do të jenë të gjithë të përmbajtur (qesh). Megjithatë do të më marrë malli për Shqipërinë. Do të më mungojnë shumë gjëra. Njerëzit, ushqimi, peizazhet, dritat dhe mënyra e bukur si shqiptarët tundin kokën sa majtas, djathtas. Më shumë do të më mungojnë miqtë e mirë që kam zënë këtu

Share With:



164 Views