Ambra Angiolini: 13 vjeçe përjetova buliminë dhe ju them se është si kancer i shpirtit
“U bëra bulimike në moshën 13-vjeçare nga kanceri i shpirtit”. Këto janë fjalët e Ambra Angiolinit në një intervistë me Carlotta Vagnoli.
Prezantuesja ka dashur gjithmonë të ketë një marrëdhënie transparente me publikun. Kujtojmë se pak kohë më parë tregoi se kishte ndjekur një kurs psikoterapie kur i dha fund historisë së saj të dashurisë me Massimiliano Allegrin.
Rrëfimi i saj synon t`u kujtojë të gjithëve se nuk duhet nënvlerësuar ky çrregullim.
“Mos e minimizoni atë. Mos denjoni ta cilësoni sëmundje fiksimin e vajzave që duan të jenë: 90-60-90. Quhet sëmundje, duhet trajtuar, duhen bërë hulumtime”.
46-vjeçarja gjithashtu tregoi se çfarë e ndihmoi për t`u shëruar.
“Gjëja më efektive, për mua, ishin shënimet që linte nëna ime, në tualet, aty ku unë shkoja për të vjellë. Në to shkruante se çfarëdo që të zgjidhja të bëja unë, ajo do të ishte me mua. Domethënë që unë isha gjithmonë vajza e dëshiruar prej saj. Ndaj them sot, lini gjurmë dashurie. Mos u mundoni ta zgjidhni ndryshe një problem. Vetëm kështu çdokush mund ta gjejë rrugën e tij”, tha Ambra.
Përjetimi i bulimisë e ka shtyrë atë të jetë sot protagoniste e fushatave të ndryshme sensibilizuese. Një libër i titulluar “InFame” rrëfen pikërisht për këtë periudhë.
“Bulimia e kishte bërë trupin tim fajtor se ishte ndryshe nga ai që doja. Mendoja se njerëzit më donin të dobët. Bulimia është si të kesh kancer shpirti. Nuk ka shërim të menjëhershëm dhe është e njëjtë për të gjithë: është një proces që duhet kaluar deri në fund. Mbajani dorën, ecni bashkë me të, derisa të largohet përfundimisht nga ju”, thotë Ambra.