“E kemi si baba” Volejbollistet mbrojnë “shpullat” e trajnerit
Trajneri i “Korça Volley U18”, Romeo Xega u përjashtua përgjithmonë nga aktivitetet nga Federata Shqiptare e Volejbollit, pasi goditi me shuplakë lojtaret gjatë pushimit të ndeshjes.
Por ky vendim penalizues, një ditë më pas, për çudi u kundërshtua nga volejbollistet, të cilat i dolën në mbrojtje trajnerit të tyre. Ato këtë akt e quajnë diçka normale në botën e sportit.
Aleksia Saqellari: As shpullë nuk mund të quhet, pasi është një tërheqje vëmendje. Këto na motivojnë ne të luajmë më mirë. Asnjë nga ne nuk është ankuar dhe as prindërit nuk ka dalë të akuzojë. Mendoj se nuk duhet të merren vendime të nxituara.
Rovena Gengo: Unë mendoj se është ekzagjeruar. Në këto momente jam e ngarkuar nga komentet e ndryshme. Shihemi të dielën duke ngritur trofeun dhe atë trofe do ta fitojmë për profesorin.
Vetë trajneri Romeo Xega tha se një gjë të tillë ia kërkoi vetë sportistja.
Romeo Xega: Ai që nuk është në botën e sportit duket realisht keq. Por në një finale janë të pranueshme të gjitha. Lojtarja në fjalë ka kërkuar, për momentin nuk jam mirë. Mund të më japësh një shuplakë siç e kemi ne që shkundemi në sport.
Romeo Xega tha se do të mbështesë ekipin nga tribuna në finalen e së dielës me Dinamon U18.