Arratisje me foshnjen nga spitali nga kati i dytë, Mjeku: Nëna e foshnja jashtë rrezikut për jetën

Madolina Jashari rrezikoi jetën e saj dhe të fëmijës së porsalindur teksa tentoi të arratisej nga materniteti i Sarandës mbrëmjen e 2 korrikut.

35-vjeçarja u hodh nga kati i dytë i spitalit.

Foshnjen vetëm 3-ditëshe e kishte lidhur pas vetes në pjesën e gjoksit dhe të barkut.

Për fat të mirë, nëna dhe fëmija janë jashtë rrezikut për jetën.

Të dielën në një reagim zyrtar Materniteti i Sarandës njoftoi se e reja lehonë ka pësuar disa fraktura por ndodhet nën kujdesin intensiv të mjekëve.

Një ditë pas aktit të rëndë, mjeku Tajar Lako shpjegon ngjarjen.

Ai bën me dije se 35-vjeçarja pjesë e komunitetit rom është nënë e 6 fëmijëve dhe e pastrehë.

Lako: Në datën 28 qershor rreth orës 02:20 ka lindur nga një lindje normale. Është fëmija i gjashtë. Lindja ka ecur shumë mirë dhe ka vazhduar në ditët në vazhdim trajtimi i nënës dhe fëmijës nga mjekët përkatës dhe çdo gjë në shëndetin e tyre ishte normale. Që ditën e tretë duke parë kushtet e nënës që duket pak me prapambetje burrin e saj nuk mund ta gjenim se nuk vinte në spital u thashë infermiereve që nëse shihnin burrin e saj të vinte në maternitet ai të kontaktonte me mua.

Nisur nga problemet sociale të së resë mjeku bashkë me stafin e maternitetit kanë njoftuar shërbimet sociale duke i kërkuar ndihmë për gruan.

Lako: I gjithë stafi ka qenë i përkushtuar për rastin me qumësht, me rroba për fëmijën, të siguruara nga spitali. Duke qenë se këta janë të ardhur në qytet në sezon thjesht për të lypur atëherë unë nuk mund ta nxirrja fëmijën nga materniteti se nuk dija kushtet e banimit dhe ku t’i shpinim. I ndodhur në këto kushte komunikoj me drejtorin e spitalit dhe i nisim bashkisë një shkresë zyrës së shërbimit social, madje edhe gojarisht ka folur për rastin edhe shefja e burimeve njerëzore dhe përgjigja e tyre ishte se adresa e tyre rezultonte herë në Durrës, herë në Berat herë në Gjirokastër dhe ne nuk kishim siguri se ku dhe ishim në pritje për të marrë një adresë të saktë se ku mund t’i çonim.

Duket se kjo ka qenë edhe arsyeja që Madolina Jashari ka ndërmarrë aktin e rrezikshëm duke u hedhur nga ndërtesa e spitalit.

Lako: Nuk pati gjë se nëna pasi është kacavjerrë nga dritarja në shesh është gjetur që e kishte fëmijën të lidhur tek gjoksi dhe barku për ta mbrojtur. Nga çfarë shihet këtu nuk ka pasur tentativë të nënës për t’u vetëvrarë, por tentativë për t’u larguar nga spitali.

Ngjarja e ndodhur mbrëmjen e të shtunës skedua si tentativë për tu larguar nga spitali dhe jo tentativë vetëvrasje.

Share With:
Translate »
46 Views