Aurela Gaçe tregon çfarë i ka ndodhur gjatë orëve të panikut nga tërmeti larg fëmijëve dhe jep një mesazh për të gjithë
Tërmetet e ndodhura në vend kanë shkaktuar shumë panik e frikë tek qytetarët ditët e fundit. Shumë prej tyre kanë preferuar që këto momente t’i kalojnë larg banesave, në ambiente të hapura, për të shmangur ndonjë tragjedi të mundshme. Mbrëmjen e djeshme me mijëra qytetarë nga Tirana dhe Durrësi dolën jashtë shtëpive, pasi në media u përhap një lajm i rremë se një tërmet shkatërrimtar do të prekte vendin.
Megjithatë jo çdokush ka pasur mundësinë të gjendet pranë familjarëve në këto orë paniku, sepse u është dashur të vazhdojnë punën e tyre. Një ndër ta ka qenë dhe Aurela Gaçe, e cila dje ka qenë e pranishme në një koncert, ashtu siç ndodh zakonisht gjatë fundjavave. Këngëtarja ka treguar se nuk ka mundur ta lërë në gjysmë punën për të qenë pranë vajzave të saj dhe me anë të kësaj ka dhënë një mesazh për të gjithë njerëzit që janë ndjerë keq gjatë këtyre ditëve. “Mbrëmë deri në orët e para të mëngjesit shumë nga ju ishit jashtë, prisnit qametin. Unë isha në punë, këndoja pikërisht në momentet kur paniku kishte kapluar shqiptarët, imagjinoni larg fëmijëve. Edhe të ikësh nga skena, a mbërrin dot t’i shpëtosh? A arrin dot të çash trafikun e madh të krijuar nga ankthi të jesh pranë fëmijëve që rrinin me gjyshen? E ndërkohë që pret të ndodhë më e keqja ti je me buzëqeshje në fytyrë, duke bërë atë që presin nga ty ata që të kanë punësuar për ato orë! Jo vetëm unë, por një grup njerëzish që gjithashtu kanë familjet e tyre e ishin në të njëjtën situatë, e prisnim me ankth e vazhdonim buzëqeshnim… E keqja fatmirësisht nuk ndodhi e kurrë mos paçim të keqe. Ne nuk e parashikojmë dot të nesërmen, prandaj o njeri buzëqesh sa ke mundësi”, ka shkruar Aurela në një postim në ‘Instagram’.
Artistët kanë treguar gjithmonë se ndryshe nga ç’mendojnë të tjerët puna e tyre është mjaft e vështirë dhe ky rast i përshkruar nga Aurela mjafton për të vlerësuar sakrificat e tyre.