“Bab’, më ço te gjyshi”, ‘Le Iene’ gjen djalin shqiptar në kampin e I S I S

Historia e një familje të ndarë shqiptare ka mbërthyer përpara ekranit mijëra njerëz. Afrim Berisha, një babai i dëshpëruar për gjetjen e djalit të tij Alvin është drejtuar në dyert e emisionit “Le Iene” në Itali, teksa ka rrëfyer se prej vitesh nuk e ka ndjerë më erën e të birit. Mes lotësh, me foton e të voglit në duar, që është rritur në Itali, Berisha tregon se si një ditë gruaja e tij kishte bërë gati valixhet, kishte marrë Alvin përdore dhe ishte nisur drejt aeroportit për të mbërritur në Siri, ku do të bashkohej me grupin ISIS.

“Ishim shumë mirë. Kishim dy vajzat dhe Alvin, por një ditë diçka ndodhi me të. Para pesë vitesh, mori djalin dhe iku”- tregon shqiptari. “Më bëhet mishi kokrra, dua vetëm t’i ndjej erën dhe ta përqafoj. Alvi im i vogël kampioni babit,”– shprehet Berisha me lot në sy. Pas muajsh investigime, babai shqiptar merr një letër nga i vogli i tij, i cili shkruan se e ka marrë shumë malli për të atin dhe se dëshiron të kthehet në shtëpi.

“Çkemi baba si je? Jam unë djalit jot…më mungon baba. Më merr me vete në shtëpi të lutem, më mungon shumë. Për babain Berisha,”– shkruhet në letrën që për babain shqiptar ishte si një goditje në zemër. Teksa asnjë sinjal nuk po vinte më nga kryqi i kuq, stafi i emisionit dhe shqiptari nisen për në Siri. Rrugës ndalojnë për të blerë rroba të reja për Alvin, teksa Berisha tregon se vetëm të birin ka pasur prej kohësh në kokë.

“Zgjohem në mëngjes dhe e përshëndes ën foto. Bëj për të ngrënë dhe kam vetëm atë në mendje. Gruan time se kam kërkuar ansjëherë. Ajo filloi të lexonte kuranin, të shoqërohej me njerëz që s’i njihja dhe vishte perçe. U mbulua dhe nuk arrita të kuptoja asgjë. Asnjëherë s’i ka munguar gjë, kam punuar gjithmonë,”- rrëfen ai teksa tregon më tej se nuk do t’i përmbajë dot lotët në momentin që do ta shohë të birin. Dhe ashtu ndodh vërtet. Gazetari gjen Alvin mes mijëra personave në kampin sirian dhe e merr në krahë kampionin për ta dërguar në krahët e të atit. Berisha e përqafon të birin, me mall, si për të dashur të kompesojë 5 vitet gjatë të cilave nuk e ka parë të birin dhe s’i ka ndjerë erën. Në video dëgjohet teksa Berisha dhe Alvi flasin shqip, pasi italishten, i vogli e kishte harruar.

“Dua të shkoj tek gjyshi… Bab… m’ço te gjyshi,”– thotë ai. “Tek gjyshi? Po ne do ikim te Marinela,”- i thotë ai. Por i vogli Alvin nuk ka shpëtuar pa u lënduar mes atyre armëve. Në një shpërthim ai ka marrë një plagë të madhe në këmbë që i ka lënë një gungë.

“Nuk është gjë,”- thotë ai për t’i thënë forcë të atit. Por më pas, kthehemi tek çështja e marrjes së djalit nga kampi sirian. Berisha nuk mund ta marrë të djalin me vete në Itali. Autoritetet përgjigjen se meqënëse Alvin nuk ka dokumenta italiane vetëm një delegacion shqiptar mund ta nxjerrë të voglin nga kampi sirian dhe ta kthejë pranë të atit, në Itali. Në momentin që Berisha ka marrë lajmin e kobshëm, mbulon fytyrën me duar por e gënjen të birin. Ai shprehet se do të bëjë disa dokumenta dhe më pas do të rikthehet që ta marrë.

“A do flesh këtu me mua?”- e pyet Alvin, teksa më pas Berisha e gënjen dhe i thotë që do shkojë të bëjë disa letra. “Ti, po. Unë jo, sepse s’më lënë të fle këtu. Do bëj disa letra,”- i thotë ai dhe s’i mban dot lotët. Babai shqiptar kthehet duarbosh në Itali dhe me zemrën e thyer, ndërsa Alvin ashtu me hap të çalë u kthehet kampeve të Sirisë, pa derdhur asnjë pikë loti. Duket sikur asgjë nuk e lëndon dot më.

Gazetari i “Le Iene” tregon më pas se sa i zhgënjyer është me ambasadorin e Shqipërisë në Turqi, Gent Gazhelin, i cili nuk ka denjuar që të hapë telefonin dhe të marrë mundimin të bëjë diçka për këtë fëmijë. Madje në videon e publikuar shihet edhe telefonata e regjistruar me ambasadorin shqiptar. “Na kishit premtuar, por Alvin nuk po kthehet dot në shtëpi,”- thotë gazetari, por në anën tjetër të telefonit bie linja dhe nuk përgjigjet më askush.

 

Share With:
Translate »
590 Views