Babai dhe gjyshja e mësonin, ndjekësit e “shpërblenin” me para! Ekspertja flet për rastin e 10-vjeçarit

Këtë të enjte, në emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan, ka qenë e ftuar ekspertja e IT-së Denisa Kele, e cila ka folur në lidhje me ngjarjen që u raportua ditën e djeshme.

Të mërkurën Natasha Rombula dhe i biri i saj Armando Kumaraku kanë rënë në prangat e policisë, pasi shfrytëzuan djalin e mitur për të përfituar para nga TikTok-u. Në videot e shpërndara kudo në rrjet, shfaqej edhe djali 10-vjeçar duke përdorur një fjalor të papërshtatshëm ndaj një komentuesi.

Për këtë rast, ekspertja u shpreh se kur ka parë videot, vuri re se kishte edhe njerëz që i shpërblenin me dhurata. Në gjuhën e TikTok-ut, kjo do të thotë të fitosh më shumë para. Pra, përpos gjuhës së turpshme, kemi një publik që inkurajon dhe e përqafon një veprim të tillë.


Denisa Kele: Pa dyshim që me fëmijët fitohet më shumë. Dhe në qoftë se do të marrim rastin në fjalë, unë e kam ndjekur shumë pak, por kam pasur mundësi mbrëmë dhe parmbrëmë; kam parë pak videot e tyre që ekspozonin në rrjetet sociale, kishte personazhe të tjerë që kur dëgjonin fëmijën që fliste me këtë gjuhë i bënin dhurata. Dhurata në rrjetet sociale dhe kjo është mënyra që fitohet. Pra, ato janë të kategorizuara. Një dhuratë që kushton 50 euro, një që kushton 100 euro, një që kushton 200, një që kushton 2000, ka të ndryshme. Dhe praktikisht, nga audienca që e dëgjon dhe nga audienca që gjen veten në këtë gjuhë, fëmija shpërblehej.

Katerina Trungu: Se unë nuk e përdor dhe prandaj pyes. E marr, e shoh videon e Denisës dhe kam opsionin aty që unë të zgjedh një dhuratë. Është e lidhur me llogari bankare të të dy palëve dhe kalojnë paratë nga unë tek ty.

Denisa Kele: Po! Kjo është një lloj forme në të cilën prindërit, se më vjen keq të them prindër në këtë rast, por që përdorin fëmijët për përfitime financiare, duke ditur padyshim vulnerabilitetin e personave që e shohin.

Share With:
Translate »
61 Views