Babai i çmendur vret fëmijët me shtizë peshkimi, pasi mendonte se do bëheshin përbindësha
Matthew Taylor Coleman duhej të shkonte në një udhëtim kampingu me gruan e tij dhe dy fëmijët e tyre të vegjël fundjavën e kaluar. “Por e keqja ishte në mes të tij dhe kërcënoi se do të sillte fundin e botës”, u tha ai hetuesve.
Kështu ai duhej të bënte diçka.
“Me lindjen e diellit, Coleman futi dy fëmijët e tij; një djalë 2-vjeçar dhe një vajzë 10-muajshe në një Mercedes Sprinter Camper Van”, tha një agjent i FBI-së në dokumentet e gjykatës të depozituara të Mërkurën. Coleman nuk kishte një vend në makinë për vajzën e tij, kështu që e futi atë në një kuti.
Nga shtëpia e tij në Santa Barbara, Kaliforni, Coleman u nis drejt jugut.
“Në vend të udhëtimit për kampe familjare që kishte planifikuar, Coleman i çoi fëmijët e tij rreth 250 kilometra në Rosarito, një qytet turistik në bregdetin e Paqësorit në Meksikë, vetëm në jug të kufirit amerikan”, tha agjentja e FBI-së Jennifer Bannon në një deklaratë betimi nëntë faqe. “Pastaj, ai qëlloi secilin prej tyre në gjoks me një armë peshkimi me shtizë”, tha agjentja.
Të mërkurën, autoritetet federale akuzuan Coleman, 40 vjeç, për vrasjen e tyre. Të dhënat e gjykatës nuk përfshinin një avokat për Coleman.
Pasi ai u largua nga shtëpia të Shtunën, gruaja e tij njoftoi policinë e Santa Barbara për të raportuar se burri i saj kishte marrë fëmijët e tyre dhe nuk po u përgjigjej mesazheve të saj me tekst. Gruaja, e identifikuar si “A.C” në dokument, i tha oficerit se nuk besonte se burri i saj do t’i lëndonte fëmijët ose se ata ishin në ndonjë rrezik. Ajo tha se Coleman përfundimisht do të kthehej dhe kur oficeri ofroi ta takonte personalisht, ajo nuk pranoi.
Të nesërmen, ajo njoftoi përsëri. Atë mbrëmje, një oficer shkoi në shtëpinë e saj. Ajo i tha atij se ajo dhe Coleman nuk kishin pasur probleme në përgjithësi, as nuk kishin pasur një argument që mund ta kishte nxitur atë të merrte fëmijët, thuhet në deklaratë. Por ajo zyrtarisht i raportoi ata të zhdukur.
Të hënën, dy ditë pasi u largua, Coleman hyri në Shtetet e Bashkuara pa fëmijët. Agjentët federalë e arrestuan atë.
“Një agjent i FBI -së intervistoi Coleman dhe ai rrëfeu se kishte vrarë fëmijët e tij”, tha Bannon në deklaratën e saj. Coleman tha se ai ishte ndriçuar nga grupi ekstremist QAnon dhe Illuminati, të dy teori të pabaza që pretendojnë se elitat sekrete po kontrollojnë me qëllim të keq çështjet kombëtare dhe botërore nga hijet. Ai kishte marrë vizione dhe shenja që zbulonin se gruaja e tij “posedonte ADN -në e gjarprit”, të cilën ajo ua transmetoi fëmijëve të tyre, sipas dëshmisë.
Duke i vrarë ata, ai tha, “po shpëtoja botën nga përbindëshat”.
“Ai e dinte që ishte e gabuar, por ishte e vetmja mënyrë veprimi që do të shpëtonte botën,” shkroi Bannon në deklaratën e saj.