“Babi iku në Gjermani e pastaj në Parajsë”, tregimi rrëqethës i nënës me dy jetimë: Në Shqipëri më sollën vetëm hirin e tij

Në vitin 2019 i shoqi do të nisej për kurbet. Në jetë sapo kishte ardhur i biri e për të siguruar një të ardhme më të mirë për vajzën e djalin, u nis për punë në Gjermani. Almira nuk e dinte, por dita kur iku i shoqi do të ishte e fundit herë që ajo do të kishte mundësinë për ta prekur në të gjallë.

Bashkëshorti i Almirës ndërroi jetë në Gjermani, si pasojë e një infarkti në zemër. Kur Almira e mësoi lajmin e kobshëm, e gjithë bota i ra mbi krye. Mbeti e vetme, me dy fëmijë fare të vegjël.

Ajo rrëfeu për emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët”, në ABC momentin kur arkivoli i të shoqit mbërriti në Shqipëri… por brenda arkivolit nuk kishte një trup për të qarë.

“Bashkëshorti shkoi për një jetë më të mirë në Gjermani, por vdiq atje… i ra infarkt. U tmerrova kur më thanë që ai nuk jeton më. Kisha kohë që nuk e shikoja… (qan) Një tmerr, një dhimbje e tmerrshme është. Shkoi për jetë më të mirë e erdhi i vdekur. Nuk e kam parë fare kur erdhi, trupin ia kishin djegur e më erdhi thjesht një arkivol me hirin e tij.

Ne kishim një martesë shumë të bukur. Ishte një kohë e bukur kur lindën fëmijët… por kur iku jashtë shtetit, nuk e di, ishte një tmerr për mua. Gocën e la tre vjeç, ndërsa çunin dy ditësh. Goca shumë mban nga kujtimet për të, kurse djali nuk e njeh fare të atin.

Djali nuk i ka thënë asnjëherë babi… shumë na mungon prezenca e tij.”-rrëfen Almira, e cila vetë është 25 vjeçe.

Share With:
Translate »
106 Views