Bashkia hap kampet verore, Veliaj: Regjistroni fëmijët për të kaluar një kohë sa më të bukur

Si çdo vit tjetër, edhe këto muaj vere bashkia e Tiranës ka hapur kampin veror për fëmijët në nevojë, si dhe ata të komunitetit rom dhe egjiptian.

“Një pjesë e qytetit ka shkuar me pushime, por ka shumë prindër që janë ende në punë ose ka familje që nuk i kanë të gjitha mundësitë për t’i filluar pushimet që në korrik, prandaj në zemër të Tiranës, te parku më i bukur që kemi, ku temperatura është më e ulët, po organizojmë, si çdo vit, kampin veror për fëmijë. Më kanë bërë shumë përshtypje super talentet që pashë këtu. Jam i sigurt se do të bëheni të gjithë të famshëm, sa në balet, sa në sport, sa me leximet dhe gjërat e mençura që po mësojnë. Por, mbi të gjitha, këtu i mësojmë fëmijët të rrinë me njëri-tjetrin, të krijojnë shoqëri të reja”, tha Veliaj.

Veliaj i bëri apel prindërve që të regjistrojnë fëmijët e tyre në kampet e bashkisë.

“I ftoj të gjithë prindërit që ndoshta janë ende në punë, që mbase nuk i kanë mundësitë, që t’i regjistrojnë fëmijët në kampet verore. Ne do të jemi këtu deri në fund të korrikut, edhe me qendrat sociale, edhe me qendrën TEN, edhe me agjencinë tonë të parqeve. Ky është stacioni ynë kryesor, por kemi edhe një stacion tjetër te Shkolla e Biçikletave”, shtoi Veliaj.

Programi dhe aktivitetet në kampin veror janë të ndërthurura dhe të organizuara në mënyrë të atillë për t’i ndihmuar fëmijët të forcojnë aftësitë e tyre shoqërore dhe krijuese.

Share With:
Translate »
78 Views