Bëri të mundur shërimin e 320 fëmijëve jashtë vendit, Albana Krasniqi: “Shpërblimi më i mirë, përqafimi që marr nga prindërit e tyre”
Janë disa momente në jetë kur njeriu ndjehet i përmbushur me të arriturat e tij e sidomos kur ato u vihen në ndihmë atyre që më së shumti kanë nevojë. E për Albana Krasniqin kjo ndjenjë vjen çdo herë kur ua kumton lajmin secilit prind që operacioni i fëmiut të tyre ka shkuar me sukses dhe në pak javë ai do të jetë në gjendje t’i kthehet jetës normale si të gjithë fëmijët e tjerë. E krejt kjo ndjenjë e veçantë dhe e jashtëzakonshme vjen si rezultat i punës së saj të pashoq dhe krejtësisht vullnetare në dërgimin e fëmijëve nga Kosova të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme në zemër për shërim në Amerikë e vende të tjera.
Profesionin e mjekes nuk e praktikoi më pas largimit nga Kosova, megjithatë spitali vazhdon të jetë një shtëpi e dytë për të, në të cilin ajo përmbush ëndrrën e saj, duke u bërë shpresë për shumë fëmijë të cilët në vend që të ecnin njëtrajtshëm me shokët dhe moshatarët e tyre, u detyruan që të ndërprejnë gjithçka e të përballen me vuajtjen dhe dhimbjen që sëmundja sjell pas vetes, me të vetmen dëshirë të pashtershme, mbijetesën.
E lindur në Pejë, por e zhvendosur në Nju Jork, Albana Krasniqi që nga viti 2012, u bë pjesë e organizatës ‘Gift of Life Internatinal’, organizatë kjo e cila tash e 40 vite u vihet në ndihmë fëmijëve të cilët vuajnë nga sëmundje të zemrës në 80 vende të botës, e kryesisht të vendeve më të varfra. Kjo organizatë është e përbërë nga një grup njerëzish bamirës të profesioneve të ndryshme që në mënyrë vullnetare ndihmojnë në shërimin e fëmijëve të lindur me veset e zemrës në mbarë botën. Organizata është me bazë në Nju Jork të SHBA-së dhe ndihmon mbi 4000 fëmijë në vit.
E që nga viti 2009 tashmë kjo organizatë kishte bazën e saj edhe në Kosovë, por pavarësisht kësaj, numri i fëmijëve të shëruar ishte shumë i vogël. Për shkak të mungesës së ndihmës nga komuniteti shqiptar atje, vetëm nëntë fëmijë kishin arritur të shërohen në tri vite. Kjo e nxiti Krasniqin të angazhohet vullnetarisht në këtë organizatë që të ndihmojë sa më shumë fëmijë kosovarë të dërgohen për shërim jashtë vendit, e ku çdo trajtim ‘Gift of Life International’ e ofron falas.
Albana Krasniqi përmes një interviste për “KultPlus” shprehet se duke e parë se numri i fëmijëve që vuanin nga këto sëmundje ishte shumë më i madh sesa ai i fëmijëve të shëruar në tri vite, ajo u angazhua me përpjekjet e saj më të mëdha që nga viti 2012.
“Duke e pasë parasysh këtë nevojë, në maj të vitit 2012 unë vendosa të angazhohem aty ku kishte më së shumti nevojë, do të thotë në çelësin e të gjithë misionit, në rritjen e fondeve dhe të mundësoja sponsorizimin e misionit të parë të kontrollave mjekësore të fëmijëve, i cili mision do të mundësonte diagnostifikimit adekuat tek fëmijët me vese të lindura të zemrës e pas trajtimit përkatësisht dërgimin e tyre për shërim jashtë vendit”, u shpreh ajo për KultPlus.
E kjo u pasua me vizitën e saj bashkë me një ekip të mjekëve profesionistë nga Nju Jorku të cilët udhëtuan për në Prishtinë dhe për një javë kontrolluan mbi 60 fëmijë.
“Nga 60 fëmijët e kontrolluar, 30 prej tyre u dërguan për shërim në spitale të ndryshme në SHBA, Izrael, Korenë Jugore ku ne kemi spitale me të cilat bashkëpunojmë”, shtoi Krasniqi duke folur për misionin e saj dhe të organizatës, e që vazhdon t’u vijë në ndihmë fëmijëve kosovarë.
Përveç ofrimit të shërbimit, në dërgimin e fëmijëve për shërim jashtë vendit, ka pas vetes një mori angazhimesh të të gjithë ekipit të kësaj organizate e në veçanti të Albana Krasniqit, e cila me përkushtim të plotë u mor dhe vazhdon të merret me të gjitha etapat që duhet t’i plotësojë një familje për të dërguar fëmijën e tyre për shërim.
“Pasi të ktheheshim nga Kosova unë angazhohesha në dërgimin e dokumenteve mjekësore në spitale për pranim, aranzhimin e udhëtimit për fëmijën dhe njërin nga prindërit, gjetjen e familjes nikoqire ku do te qëndronin fëmija dhe prindi gjatë kohës së trajtimit në SHBA”, shpjegon Krasniqi e cila shton se ajo kohë mund të zgjaste deri në 10 javë varësisht nga niveli dhe lloji i operimit.
E nga viti në vit, përveç shtimit të numrit të fëmijëve të shëruar pas trajtimit në Nju Jork e në vende të tjera, kjo organizatë ndryshoi edhe qasjen e trajtimit të fëmijëve në Kosovë. Që nga viti 2018, organizata ka filluar të dërgojë ekipe mjekësore në Kosovë për të operuar fëmijët në Prishtinë. E kësisoj, duke sjellë ekipet mjekësore në Kosovë, ‘Gift of Life International’ po arrijnë të ndihmojnë më shumë fëmijë për shkak të shpenzimeve më të vogla.
“Që nga ajo kohë ekipet tona vijnë tri herë në vit për të operuar fëmijët e Kosovës dhe mesatarisht 25-28 fëmijë operohen brenda një jave të qëndrimit të mjekëve”, vazhdoi mes tjerash Krasniqi.
Ajo më tutje shpjegoi se qëllimi i mirë e fisnik i kësaj organizate, në të cilën ajo tashmë është edhe pjesëtare e bordit drejtues, po realizohet me sukses ngaqë deri më tani ekipi dhe mjekët vullnetarë kanë operuar falas mbi 320 fëmijë dhe kanë kontrolluar e diagostifikuar mbi 1000 fëmijë.
Ndihma jetësore që kjo organizatë ua ka dhënë fëmijëve të Kosovës duke ua shtuar atyre motivin dhe shpresën dhe të jetuar, ka bërë që edhe vetë Albana Krasniqi që përjetojë një eksperiencë jashtëzakonisht të çmueshme. Ajo shprehet për KultPlus se kënaqësia bëhet edhe më e madhe kur kupton se pasi ke ndihmuar një fëmijë je bërë përgjigje e lutjeve të prindërve të tyre.
“Të gjithë fëmijët që ne i ndihmojmë janë një tregim në vete, secili prej tyre është i veçantë por natyrisht janë disa raste që të mbesin të freskëta në kujtesë çdo herë. Por momentet kur ju tregon prindërve se çdo gjë ka shkuar mirë me operimin dhe se fëmijët do të jenë mirë e do të rriten si të gjithë fëmijët tjerë, gjithashtu përqafimet qe marr nga ta do të më mbesin çdo herë në mendje”, deklaroi Krasniqi e cila mes tjerash shtoi se duke qenë se përveç që kjo organizatë po shpëton jetën e një fëmije, ajo po rregullon edhe jetën e anëtarëve të tjerë të familjes.
Organizata ‘Gift of Live International’ mund të konsiderohet si një urë-lidhëse e madhe në mes të fëmijëve që vuajnë këto sëmundje dhe trajtimit në Amerikë apo në vende të tjera. E ndonëse ka pasur shqiptarë të tjerë që kanë ndihmuar tërthorazi, Albana Krasniqi është e para dhe e vetmja shqiptare në bord të kësaj organizate.
“Në këtë grup vullnetarësh ka edhe shqiptarë të tjerë që kanë ndihmuar tërthorazi qoftë duke u bërë familje nikoqire të fëmijëve gjatë qëndrimit të tyre në SHBA, qoftë me përkthime dhe atë me kryesoren me ndihma financiare duke sponsorizuar operime e edhe misione në tërësi pa të cilët suksesi ynë nuk do të ishte kaq i madh”, u shpreh më tutje Krasniqi duke i falënderuar secilin për ndihmën dhe kontributin e dhënë.
E krejt këtë punë kolosale, në dërgimin e fëmijëve nga Kosova për t’u shëruar, Albana Krasniqi, e ka realizuar në ndihmën e ekipit nga ‘Gift of Life International’. Mirëpo, e pyetur nëse ka marrë ndonjë ndihmë financiare nga institucionet e Kosovës, ajo shprehet se nuk kanë pasë ndihmë financiare nga Kosova, pavarësisht se nuk kanë kërkuar diçka të tillë.
Ndërkaq, krahas punës vullnetare që ajo e bën me përkushtim të plotë e me qëllim tejet human, Albana Krasniqi ka edhe një profesion me të cilin siguron mirëqenien e saj ekonomike. Ajo punon si analiste financiare në një kompani investimesh në Nju Jork.
E për të shkëlqyer në këto dy punë si dhe të japë maksimumin për familjen e shoqërinë në anën tjetër, ajo thotë se i duhet që të sakrifikojë shumë nga jeta e saj.
“Thjesht nuk e di se si ia dal, por vullneti dhe dëshira e madhe për të shpëtuar jetë më jep forcë dhe energji për t’i tejkaluar të gjitha. Dhe tani më është bërë pjesë e jetës time”, shprehet mes tjerash Krasniqi.
Për fund, përveç që uroi dashuri dhe gëzime për të gjithë, Albana Krasniqi dha një mesazh për lexuesit e KultPlus e që lidhet pikërisht me misionin që edhe ajo i ka vënë vetes tash e 10 vite më parë.
“Mesazhi për lexuesit e KultPlus është qe secili prej tyre të gjejë një mundësi apo mënyrë për të ndihmuar ata që janë në nevoje, qoftë ajo shëndetësore apo ekonomike”, përfundoi ajo./Burimi “KultPlus“