Bombardimet qeveritare në Siri, mbi 98 të vrarë, mes tyre 20 fëmijë
Bombardimet nga forcat qeveritare siriane i kanë marrë jetën dhjetëra civilëve në zonën e kontrolluar nga rebelët, Ghouta-n lindore, pranë Damaskut.
Të paktën 98 civilë, mes të cilëve 20 fëmijë u vranë në një sulm ajror të hënën. Ushtria besohet se po përgatitet tani për një ofensivë tokësore.
Duke kërkuar ndalimin e bombardimeve, një zyrtar i OKB tha se situata po dilte jashtë kontrollit. Rreth 400 mijë njerëz jetojnë në Ghoutan lindore që është nën rrethim që nga 2013. Kjo është enklava e fundit që mbetet në duart e opozitës afër kryeqytetit Damask. Forcat siriane kanë intensifikuar fushatën për të rimarrë nën kontroll zonën më herët këtë muaj me qindra persona të vrarë dhe akoma më shumë të plagosur.
U arrit madje edhe një marrëveshje armëpushimi për t’i dërguar civilëve të bllokuar në zonën e konfliktit ndihma pasi në dhjetor, organizatat ndërkombëtare të ndihmave paralajmëruan se kushtet në zonë kishin arritur në një pikë kritike për shkak të mungesës së ushqimit, karburantit dhe ilaçeve. Muajin e ardhshëm shënohen plotë shtatë vite konflikt civil në Siri. Me qindra e mijëra njerëz janë vrarë dhe mbi 5 milionë persona janë larguar nga vendi.