Burg për ish-kongresmenin që shkëmbente mesazhe seksuale me adoleshenten

Ish-anëtari i Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Anthony Weiner, u dënua sot me 21 muaj burg për shkëmbim mesazhesh seksuale me një vajzë 15 vjeçare, duke krijuar një skandal që pati një rol jo të vogël në zgjedhjet presidenciale amerikane vitin e kaluar.

Zoti Weiner, 53 vjeç, menjëherë pas shpalljes së vendimit të një gjyqtari në Menhetën të Nju Jorkut ka filluar të qajë, raporton agjencia Reuters.

Në muajin maj ai e kishte pranuar fajësinë për transferim të mesazheve të paturpshme te një e mitur dhe ishte pajtuar që të mos ankohet nëse dënohet me 27 muaj burg ose më pak.

Avokatët e zotit Weiner kanë kërkuar që ai të dënohej me kusht, e jo me burg.

Hetimet lidhur me këmbimin e mesazheve të zotit Weiner, me një nxënëse të Karolinës Veriore, kanë ndikuar në ditët finale të fushatës presidenciale, kur autoritetet i gjetën emailat në kompjuterin e Weinerit.

Bashkëshortja e tij, Huma Abedin, ishte ndihmëse e kandidates presidenciale demokrate, Hillary Clinton. Më vonë Abedin kërkoi shkurorëzim.

Share With:
Translate »
857 Views