“Buza ishte e mbyllur, ushqehej me tuba”/ Momenti i djegies së 2-vjeçares: Familjarëve u ngelej lëkura në duar

Për Esmën, vogëlushen 2-vjeçare, trupi i së cilës mbart shenjat ende të freskëta të luftës me flakët, shpresa ishte thuajse e shuar. Vetëm një mrekulli mund të bënte që ajo të mposhtte të gjitha parashikimet e mjekëve shqiptarë e italianë dhe të fitonte një jetë tjetër.

Në rubrikën “E Diela Ndryshe”, Arbër Hajdari dhe nëna e Esmës, Mirela, ndanë rrugëtimin sfidues, të  mbushur me frikë, besim dhe forcën për të mos u dorëzuar. Ky takim përmes rubrikës të së “Dielës  Shqiptare” në Tv Klan nuk është vetëm për këtë rrëfim, por për të vijuar historinë.

Esma nis fazën e rehabilitimit që mund të zgjasë eedhe më shumë për shkak të kompleksistetit të gjendjes shëndetësore. Trajtime të shumta për të kthyer lëvizshmërinë e gjymtyrëve dhe për të zvogëluar shenjat në trupin e saj.

 

Arbër Hajdari: Historia vazhdon. Kishim kaluar vetëm një pjesë të vuajtjeve dhe më të rëndësishmen që doli nga rreziku për jetën dhe tani nisi faza tjetër, nisi faza e rehabilitimit të Esmës. Nga organet e brendshme, që nga fizioterapitë e duarve dhe këmbëve dhe pastaj çka është më e rëndësishmja, pjesa e djegieve që ishin masive, në të gjithë trupin, kryesisht në pjesën e kokës më të mëdha. Trajtime të cilat kushtojnë shumë, trajtime të cilat janë periodike, të përditshme, vizita mjekësore, lazerë, metoda nga më të ndryshme të propozuara nga mjekët në Itali që Esmës t’i reduktohet sa më shumë numri i shenjave që ka në trup, të ecë pa probleme, të lëvizë pa probleme. Për këtë kemi bashkëpunuar mirë me Mirelën që është bërë edhe ndihmësinfermiere.

Ardit Gjebrea: Tani ia ke marrë dorën.

Arbër Hajdari: Po.

Ardit Gjebrea: Çfarë shërbimesh i bëni Esmës çdo ditë?

Mirela: Tani kam kremrat. Para një muaji kisha  edhe ilaçet. Ka pasur një ilaç për trurin që e kishte në orën 8 të mëngjesit, të pasdites, në 12 të natës. Për momentin kemi fytyrën dhe pjesën këtu se Esma e ka pasur komplet buzën e mbyllur, ka bërë një ndërhyrje në Itali dhe përsëri ka nevojë për ndërhyrje.

Ardit Gjebrea: Si e ka pasur buzën e mbyllur?

Arbër Hajdari: Të bashkuar.

Ardit Gjebrea: Po si ushqehej?

Mirela: Me tuba. 3 muaj ashtu është ushqyer Esma.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë e nxirrni  jashtë?

Mirela: Jo, nuk e lejojnë që  të dalë jashtë për 18 muaj.

Ardit Gjebrea: Po pse?

Mirela: Sepse rrezet e diellit i ndikojnë shumë, i thahet lëkura dhe Esma ka një maskë dhe një triko që ia veshim që t’i mbajë.

Ardit Gjebrea: Nëse do të dalë apo…

Mirela: Jo, vazhdimisht, edhe në shtëpi, por tani ia kam larë.

Arbër Hajdari: Nga djegia masive, lëkura është shkrirë dhe ia ka mbyllur gojën.

Vetëm kremrat që janë jetikë për 2-vjeçaren, kushtojnë 1000 euro në muaj. Arbër Hajdari i komunikon Mirelës se të dyja do të nisen për në Itali që të vijojnë  kurimin. Ndërsa ai e Gjebrea largohen, Arbri ndalon pranë skarës ku një vit më parë, Esma pësoi aksidentin e tmerrshëm.

Arbër Hajdari: Këtu ka ndodhur djegia  e Esmës. Është fiks kjo skarë dhe kjo është shtëpia, banesa e nënës së Mirelës dhe këta kanë dalë nga të dyja anët kur kanë parë vajzën që ishte totalisht një fëmijë i marrë flakë, që nxirrte tym nga të gjitha anët. Në një krah kanë hedhur ujë, në një krah kanë marrë lecka duke e mbuluar dhe në duart e tyre ngeleshin  copa të lëkurës së vajzës dhe është vërtet një rast i jashtëzakonshëm për të treguar që edhe nëse ka një fije shpresë, duhet t’i shkojmë deri në fund.

Share With:
Translate »
55 Views