Covid shtyn me dy javë mësimin në Kosovë
Procesi mësimor në Kosovë është shtyrë me dy javë të tjera. Shkak është bërë rritja e ndjeshme e numrit të të infektuarve por edhe të humbjes së jetëve për shkak të koronavirusit. Lajmin e ka bërë me dije ministrja e Arsimit në Kosovë Arbërie Nagavci, përmes një postimi në Facebook. Ajo tregon se ministria vendos kështu të zbatojë rekomandimet e fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik: Shëndeti duhet të jetë mbi të gjitha, shkruan ministrja.
Postimi i plotë:
Do të jemi çdo herë në përkrahje të mësimdhënësve me qëllim të avancimit sa më të mirë të tyre.
Ngritja dhe zhvillimi profesional i mësimdhënësve për zbatimin në praktikë të Kurrikulës është proces shumë me rëndësi. Andaj, me kënaqësi vizitova sot mësimdhënësit që po ndjekin trajnimin për Kurrikulë, që po mbahet në SHFMU ‘Dardania’ në Prishtinë.
MASHTI në koordinim me Drejtoritë Komunale të Arsimit po vazhdojnë me organizimin e trajnimit për zhvillimin e kapaciteteve profesionale të rreth 1400 mësimdhënësve, të cilët këtë vit shkollor do të fillojnë zbatimin në praktikë të kurrikulës së re në institucionet edukativo-arsimore.
Trajnimi po mbahet për mësimdhënësit parafillor, klasën e parë, gjashtë dhe dhjetë dhe përfshinë të gjitha fushat kurrikulare.
Dy vitet e fundit kanë qenë jo të lehta për arsimin. Të gjitha raportet në botë flasin se humbjet e shkaktuara në procesin arsimor si pasojë e pandemisë kanë qenë të mëdha e edhe viti i ri shkollor do të jetë me shumë sfida, andaj dhe duhet shumë punë, bashkëpunim e angazhim i të gjithëve për t’i kompensuar humbjet e përmirësuar rezultatet.
Mësimdhënësit i njoftova se rekomandimet e fundit të IKSHPK-së janë që viti shkollor të shtyhet edhe për dy javë dhe ne do t’i respektojmë këto rekomandime për shkak se shëndeti duhet të jetë mbi të gjitha.
Me shpresë se pas dy javësh gjendja do të stabilizohet dhe procesi mësimor të nis ashtu siç kishim planifikuar, pra me prezencë fizike, mësimdhënësve ju dëshiroj shumë suksese gjatë këtij trajnimi dhe në vitin e ri shkollor. Shëndet e mbarësi!
***
Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë shënuar 424 persona të infektuar, ndërsa 23 qytetarë nuk e kanë fituar betejën me virusin. Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.033.952 doza të vaksinën. Aktualisht në Kosovë janë pranuar vetëm dy lloje vaksinash: AstraZeneca dhe Pfizer.