Të gjithë e mbajnë mend djaloshin sybukur të Gjeniut të vogël 6, Dario Zela, i cili jo vetëm me zërin melodioz, por edhe me pamjen skenike bëri për vete të gjithë publikun javë pas jave. I madh e i vogël, sapo dëgjonin e shikonin performancat e Darios, e duartrokitnin dhe e përgëzonin për talentin e spikatur dhe buzëqeshjen rrezëllitëse që nuk i largohej asnjëherë nga fytyra. Tani që kanë kaluar disa vite nga performancat e tij në Gjeniun e vogël, Dario është rritur dhe sapo ka publikuar klipin e tij të parë. “Ndjenjë” titullohet kënga që vjen në bashkëpunim me kantautorin e njohur Elgit Doda, i cili është bërë gjithashtu pjesë e klipit të parë të Darios. Dario dhe Elgiti e kanë lajmëruar publikimin e klipit pak orë më parë edhe në profilet e tyre sociale, ku kanë marrë edhe mjaft përgëzime për projektin e ri. Kënga i referohet një dashurie të pastër të dy adoleshentëve dhe drojës së natyrshme për të rrëfyer ndjenjën e bukur.