Denoncimi i babait që i morrën djalin 3-vjeçar pas vdekjes së bashkëshortes

Javën e kaluar emisioni “STOP” transmetoi denoncimin e Ajet Patozit, të cilit vjehërrit i kishin marrë djalin e vogël me dokumente të falsifikuara, pas vdekjes së të shoqes. Sot sjellim ndryshimin e certifikatës së lindjes për Aleksandrosin e vogël. Po kështu në një reagim zyrtar, Urdhëri i Psikologut sqaron se Brunketa Zoto, psikologia që hartoi raportin për vogëlushin, nuk rezulton anëtare e Urdhërit dhe nuk ka licencë profesionale. Rasti, thuhet në deklaratë, do t’i përcillet Komisionit të Gjykimit Disiplinor dhe do t’i nënshtrohet procedurave të hetimit profesional.

“Në Dhjetor të vitit 2013, dy muaj pas njohjes mora vesh që Ina kishte ngelur shtatzënë dhe vendosi që të vinte pranë familjes se shtatzënia e saj ishte pak e vështirë. Pas 3 – 4 muajsh morëm vesh që Ina ishte e sëmurë nga sëmundja e keqe. Shpresat ishin shumë të pakta sepse sëmundja kishte avancuar aq shumë sa kishte prekur disa pjesë të trupit. Fëmija lindi 7 muaj e gjysmë. Pasi lindi Aleksandro, Ina vazhdoi në ndikim më të shpejtë të kimioterapisë, por shpresat e saj sa vinin e ishin më të vogla. Ajo u nda nga jeta në Tetor të vitit 2015.”

I ati i Inës ka telefonuar të atin e Ajetit për t’i kërkuar një takim me nipin para se të shkonin në Greqi, por pas pranimit të këtij të fundit nisën edhe problemet mes familjeve. Ajeti së bashku me prindërit e tij tregojnë se prindërit e bashkëshortes i kërcënuan se nuk do t’ua kthenin më fëmijën, ndaj iu drejtuan proceseve ligjore.

“Ikni dhe te Zoti lart tha, nuk e merrni dot”, përsërit fjalët e vjehrrit, i cili më pas në polici ka kërkuar që të mund ta mbajnë nipin deri në të 40-at e së bijës. Ajeti nuk pranoi, por policia nuk kishte të drejtë ligjore për ta ndaluar, pasi duhej të posedonin vendim të prokurorisë. Por më pas prokuroria e referoi çështjen në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Berat.

Avokati i familjes Patozi shprehet se i janë drejtuar gjykatës me kërkesë – padinë për “kthimin e fëmijës dhe ushtrimin e përgjegjësisë prindërore”, por gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore janë përballur me kundërpadinë e familjes së bashkëshortes së tij të ndjerë, të cilët kërkonin heqjen e përgjegjësisë prindërore të Ajetit dhe caktimin e gjyshes së të miturit si kujdestare ligjore.

Emisioni “STOP” komunikoi me psikologen Linda Hoxha, e cila tha se duke u bazuar në nenin 225 të Kodit të Familjes, nëse fëmija humb nënën biologjike, automatikisht përgjegjësia prindërore ushtrohet nga i ati. Ndërsa, përsa i përket heqjes së përgjegjësisë prindërore, ajo shprehet se ndodh kur prindi është i alkoolizuar, merret me lojëra fati, ndiqet nga ana mjekësore etj.

Gazetari i emisionit “STOP” i drejtohet Bashkisë Berat për të komunikuar me nëpunësen e Gjendjes Civile, Afërdita Gurin, se përse ka lëshuar një certifikatë për Aleksandron, i cili nuk e ka vendlindjen në Berat.

Gazetari – Zonjë! Të lutem! Do na e sqarosh pak, si e ke lëshuar certifikatën e fëmijës?

Afërdita Guri – Ka mundësi?

Gazetari – Të lutem! Na sqaro!

Afërdita Guri – Jam tek zyrat e pasaportave.

Gazetari – Po, mos hyr!

Afërdita Guri – Po kam punë tani, të lutem! Ik tani!

Gazetari – Do na sqarosh pak, të lutem?

Afërdita Guri – Drejtohu në gjykatë! Ik!

Gazetari – Ça të drejtohem në gjykatë unë?! Ti ke falsifikuar dokumentin.

Afërdita Guri – Ik tani!

Vlerësimi psikologjik nga psikologia Bruketa Zoto, i cili sipas saj ishte bazuar në bisedat klinike me fëmijën dhe intervistat e hapura me familjarët, vlerësimin e kushteve morale dhe materiale të familjeve, vëzhgimin e sjelljes dhe komunikimit jo verbal me të rriturit, ishte shkaku kryesor që gjyqtarja Llangozi vendosi që 3 – vjeçari të qëndronte në kujdestarinë e gjyshërve. Por te ky vlerësim mungon arsimi, numri i diplomës dhe Nipt-i i psikologes. Gazetari i emisionit “STOP” thotë së Brukete Zoto nuk ka analizuar situatën social – ekonomike të të dyja palëve, por ka bërë vetëm një takim dhe ka dalë në këtë konkluzion.

Emisioni “STOP” i rikthehet këtij denoncimi për të treguar se certifikata e Aleksandros Patozit është ndryshuar, duke saktësuar vendlindjen e tij, që është Roskovec dhe se nëpunësja e Gjendjes Civile në Bashkinë Berat, Afërdita Guri është pushuar nga puna.

18 Tetor 2017

Afërdita Guri – Ajo certifikatë ka dalë nga zyra jonë dhe në bazë të ligjit të Gjendjes Civile, certifikatë mund të printojë përderisa është punonjëse. Ka ndonjë … ? Më thuaj! Ka ndonjë të dhënë?

Gazetari – Po si printon se thotë këtu: Gjendja Civile Berat.

Afërdita Guri – Po, po! Berat! Ja, ta shikojmë.

Gazetari – Po ka sjellë pasoja kjo për gjyqin. Më kupton?

Afërdita Guri – Kush tha?

Gazetari – Po, unë them pra se kam vendimin.

Sot, më datë 24 Tetor 2017, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ka dhënë masën disiplinore “lirim nga detyra”, nëpunësit të shërbimit të Gjendjes Civile të Njësisë Administrative Nr. 3, Bashkia Berat, Znj. Afërdita Guri.

Ndërsa për sa i përket psikologes Brunketa Zoto, që bëri vlerësimin psikologjik të 3 – vjeçarit dhe familjarëve, vlerësim i cili bëri që kujdestarinë ta fitonte gjyshja nga ana e së ëmës, rezulton se nuk është anëtare e Urdhrit të Psikologëve dhe se nuk është e pajisur me licensën profesionale. Ndaj ky rast do t’i përcillet Komisionit të Gjykimit Disiplinor nga Presidentja e Urdhrit, Dr. Valbona Treska dhe do t’i nënshtrohet procedurave të hetimit profesional.

Aleksandrosi humbi nënën, por nuk mund të humbë dhe të atin, vetëm e vetëm se gjyshërit e tij dëshirojnë të qëndrojë me ta, duke falsifikuar madje dhe dokumentet.

Share With:
Translate »
1335 Views