Deputetja Erisa Xhixho: Dhunuesit seksualë do të ndalohen në ambientet e punës ku ka gra dhe fëmijë

Deputetja Erisa Xhixho ishte e ftuar sot në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të folur në lidhje me projektligjin “Regjistri i Krimeve Seksuale” i paraqitur në Kuvend në bashkëpunim me CRCA/ECPAT.

Kjo nismë e re bëhet gjithashtu në kuadër të muajit të Fiongos Blu, ditëve ndërkombëtare kundër dhunës ndaj fëmijëve dhe të drejtat e tyre.

 

Ajo tha se miratimi i këtij projektligji zgjidh një herë e mirë regjistrimin e çdo dhunuesi seksual dhe mbrojtjen e fëmijëve, vajzave dhe grave nga dhuna seksuale.

Sipas deputetes, të gjithë personat që do të skedohen dhe do të jenë pjesë e Regjistrit të Krimeve Seksuale, nuk do të lejohen në ambientet e punës ku ka gra dhe fëmijë.

“Ndryshe nga ligjet e tjera ka një fuqi prapavepruese, sepse ne na duhet një regjistër të dhënash të të gjithë personave që kanë kryer krime seksuale në të gjithë Shqipërinë, jo vetëm nga momenti që hyn në fuqi ky ligj”, shprehet deputetja Xhixho.

Rudina Magjistari: Deri në çfarë momenti ka një fuqi prapavepruese?

Erisa Xhixho: Të gjithë personat që kanë marrë vendim të formës së prerë në gjykatë, për krime seksuale do të jenë pjesë. Aty ka një formular me të gjitha të dhënat, rrethin shoqëror, banimin e personit, të gjithë të dhënat konfidenciale të personit përkatës. Nga ana tjetër përsa i përket monitorimit, ku do të vendoset ky regjistër, do të vendoset pikërisht në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, pra nga organet ligjzbatuese, të cilat do të kenë akses në regjistër. Gjithashtu sistemi i drejtësisë do të ketë, prokuroria, të gjithë ata që merren me mbarëvajtjen e sigurisë publike. Dhe do të jenë në monitorim të vazhdueshëm të këtij regjistri nga organet ligjzbatuese. Një moment i rëndësishëm për evidentimin e pedofilëve të cilët kanë kryer krime seksuale janë të shumtë në Tiranë. Nga organizata e shoqërisë civile nga 50 deri në 55 pedofilë të cilët janë momentalisht në Tiranë dhe që janë në qarkullim të lirë. Një element tjetër i ligit është punësimi i këtyre personave. Në qoftë se sot nuk kemi asnjë ndalesë të këtyre personave për t’u punësuar në kopshte, në çerdhe, në vende ku ka gra, në momentin që hyn në fuqi ligji do të ndalohen të jenë pjesë e këtyre ambienteve. Punëdhënësi do të ketë detyrim në momentin që punëson dikë në ambiente ku ka fëmijë, ka gra, ka vajza, pra ka probabilitet për të pasur dhunë, do kërkojë nga Drejtoria e Policisë një vërtetim nëse personi është pjesë e regjistrit apo jo.

Share With:
Translate »
147 Views