Dielli tek fëmijët, sa i mirë po aq i keq

Në shumë dokumente antike, Dielli përshkruhet si mjet për të pasur shëndet sa më të mirë e të fuqishëm. Në Egjypt e Kinë dielli këshillohej dhe për mjekimin e disa sëmundjeve, sidomos të lëkurës . Ndërsa në mjekësinë Greke mjekimi me anë të diellit përshkruhet për herë të parë me emrin helioterapi, duke e rekomanduar si mjekim në një sërë sëmundjesh, sidomos të lëkurës dhe të kyçeve. Në të gjitha shkrime të lashta, përfshi dhe ato Romane, thuhet gjithashtu se fëmijët rriten më mirë kur lihen të lirë në natyrë, duke luajtur nën efektin e rrezeve të Diellit. Nga fillimet e shekullit të 19-të, filluan të bëhen dhe studimet shkencore, jo vetëm për përfitimet, por dhe për disa anë të padëshiruara të tij. Në vitin 1920, një profesor dermatolog Gjerman, përshkroi për herë të parë ndikimin e rrezeve të Diellit mbi Melanomën dhe disa së- mundje kanceroze të lëkurës – çka bëri të tregohej më shumë kujdes në shfrytëzimin e tyre dhe të hiqej dorë nga tendenca për “nxirjet” e tepruara. Për mbrojtjen e lëkurës filluan të prodhohen një sërë vajrash e kremrash.

Gjatë viteve në vazhdim, “mjekimi me diell” (Helio terapia) gjeti përdorim të gjerë, jo vetëm për mjekimin e të gjitha formave të Tuberkolozit, por dhe për të sëmurët me sëmundjeve kronike të rrugëve të frymë- marrjes, anemi dhe të atyre që thuhej se” nuk u ecte shëndeti”. Zonat e njohur klimaterike, gradualisht u shndërruan në qendra të vërteta kurative me infrastrukturë e personel mjekësor. Dhe ne kemi përvojën tonë. Për kategori të veçanta të sëmurësh (sidomos për ata me Tuberkoloz), shfrytëzoheshin zonat kodrinore e malore ose shkuarjet në stane e bjeshkë. Disa krahina të njohura për dukuri klimaterike të veçanta, si p.sh Voskopoja, me kalimin e viteve, u shndërruan në qendra të njohura kurative (sidomos kundër Tubekulozit). Vitet e fundit, disa studime kanë nxjerrë përfundime se lënda konservante (jo ajo bazë) e disa vajrave e kremrave e ndikokan më keq se sa vetë rrezet e diellit, prandaj këshillojnë të zgjidhen atë pa konservanë. Debatet pafund midis atyre që merren me këto studime, kanë krijuar dhe ndonjë konfuzion midis prindërve, prandaj me të drejtë na pyesin për shumë gjëra. Pa nënvleftësuar studimet, mendoj se ja vlen të kujtojmë një shprehjen tonë popullore të moçme, që thotë: çdo gjë me kripë dhe kripa me karar, pra dhe Diell, po me karar.

Disa këshilla praktike

-Fëmijët nën moshën 12 muaj, nuk duhen nxjerrë direkt në diell, jo vetëm gjatë pushimeve në plazhe, po as në çdo mjedis tjetër (brenda ose jashtë banesës). -Nxjerrja direkt në diell duhet filluar aty ku banoni (mos prisni kohën e pushimeve), gjithmonë në mënyrë graduale, çdo ditë, duke filluar nga 5 deri në 10 minuta e rritje në vazhdim. Gjatë kësaj kohe duhet mbajtur në kokë kapele me ngjyrë të bardhë, anët të gjera që të bëjnë hije mbi fytyrë, veshë e qafë dhe syze dielli. Nëse veprohet në këtë mënyrë, nxirja e (bronzimi) i lëkurës arrihet gradualisht, pa krijuar probleme parandalon djegiet e mbi të gjitha shërben si mbrojtëse ndaj rrezeve ultraviolete në të ardhmen. -Asnjëherë në diell, pa vendosur më parë vajrat ose kremrat e syze dielli;

-Evitoni daljet dhe qëndrimet në diell gjatë periudhave më të nxehta të ditës (sidomos midis orës 10 deri17). Gjatë kësaj kohe mund të rrinë nën hijen e pemëve ose të çadrave duke u marrë gjithmonë me ndonjë lojë; -Duhet bërë kujdes ndaj reflektimit të rrezeve prej sipërfaqes së rërës dhe çimentos. Disa rreze kalojnë vranësirat dhe hijet e çadrave, prandaj tregoni të njëjtin kujdes dhe në këto rrethana (vajra, kremra e saze dielli). ;

-Qëndrimet e zgjatura në diell, mund të bëhen shkak për djegie, prandaj bëni kujdes që me shfaqjen e shenjave të para; -Kujtojini dhe jepuni të pinë sa më tepër lëngje (më i miri, uji) ose lëngje frutash të përgatitura vete, të holluara dhe pa sheqer; po jo lëngje të sheqerosura, as të gazuara;

-zgjidhni vajra ose kremra për mbrojtjen e lëkurës, që të mos kenë lëndë konservuse. (si p.sh me oksid zingu); -Shfrytëzoni mjediset më të freskëta të shtëpisë (pavarësisht se prishet pak sistemimi)

-Është normale që gjatë kësaj periudhe fëmijët të kenë njëfarë rënie të oreksit, prandaj mos i detyroni, servirini më tepër supa e gjellë me perime dhe fruta të freskëta;

-Zgjidhni veshje pambuku të bollshme dhe me ngjyrë të bardhë

Cilat janë përfitimet?

Dielli ndikon në rritjen harmonike të kockave të fëmijëve. Nën efektin e tij, nxitet prodhimi i vit D e cila gjendet gjysmë e gatshme nën lëkurë nën lëkurë.

-Ndikon në rregullimin e humorit dhe të gjumit, dezinfekton lëkurën, ndikon në ecurinë e Koreve të qumështit, Rrjebullit (Dermatit atopik), ekzemave dhe të disa sëmundjeve të tjera.

-Shfrytëzimi me kujdes i rrezeve të diellit ndihmon në pakësimin e thithjes së yndyrave dhe parandalimin e dhjamosjes (obezitetit) – Nxisin aftësitë mbrojtëse të organizmit (sistemin imunitar)

-Rrezet e diellit mbajnë nën kontroll prodhimin e Lepetinës (një hormon që pakëson oreksin e tepruar).

Së fundi

– lërini fëmijët të lirë, ata kanë ëndërruar shumë për pushimet e Verës. Hiqni dorë (të paktën gjatë kësaj periudhe), nga veprimet strikte. Mos rrini gjithë ditën duke parë akrepat e sahatit për të zbatuar me “rigorozitet“ orën për tu çuar, për të fjetur, për të bërë banjë, për të ngrënë e kështu me radhë. Veprime të tilla nuk kënaqin fëmijët tuaj, ato veç prishin iluzionet dhe ëndërrimet e bukura për këto ditë dhe prishin humorin. Lërini të lirë, të hanë sa tu hahet, të futen në det kur tu lindi dëshira, të lozin si të duan dhe kini për të parë si do t‘jua shpërblejnë.

Po pasojat?

Në jetën e përditshme hasen probleme nga rritja e temperaturave të stinës, goditjet nga të nxehtit dhe goditjet nga dielli.

• Pasojat nga rritja e temperaturës

– Në këto ditë të nxehta, të gjithë kemi vështirësi po ata që e kanë më të vështirë përballimin e saj, janë të vegjël (sidomos të muajve të parë). Sa më i vogël fëmija aq më e papjekur qendra në tru dhe mekanizmat e tjera që rregullojnë mbajtjen normale të temperaturës së trupit; prandaj një fëmijë i shëndoshë kësaj moshe, mund të ketë rritje, ndonjëherë shumë të lartë temperature, madje ata që e ndjejnë më tepër rritjen e temperaturës, janë të porsalindurit dhe të vegjlit. Vaporet (Sudaminat) janë elemente pak të ngritura mbi sipërfaqen e lëkurës, me përmasa të vogla e ngjyrë në të kuqe. Shtrihen sidomos rreth gushës, nënsqetulla, pjesën e prapme të qafës, në shpinë, rrëzë kofshëve në bark dhe shoqërohen me kruarje. Hasen më tepër në të porsalindurit dhe gjatë muajve të parë te jetës (latantët), pa përjashtuar moshat e tjera. Nëse shfaqen, bëni shpesh banja, asnjëherë pudra, me këshillën e mjekut mund të jepet ndonjë medikament kundër kruarjes.

• Goditja nga të nxehtit – Është një gjendje të krijuara si rrjedhojë e mjedisit të nxehtë, me rritje të lagështirës (zagushisë) dhe pa qarkullim të ajrit; çka bën që trupi të mos përballojë shpërndarjen e kalorive. Gjendje të kësaj natyre janë të shpeshta dhe brenda shtëpisë në çdo stinë (sigurisht më të shpeshta gjatë verës) si rrjedhojë e mbajtjes së fëmijës në mjedise të nxehta, të mbyllura e të pa ajrosura, me rritje të lagështirës ajrit; nga veshje të tepruar, ose prej materialeve sintetike e të lidhur në djepe.. Goditjet nga të nxehtit jashtë shtëpisë ndodhin gjatë qëndrimeve të zgjatura në diell, sidomos në orët e “pikut”, në ditët me “zagushi” dhe udhëtimet pa sisteme ftohjeje. Cilado qofshin rrethanat, më të rrezikuar janë fëmijët e muajve të parë të jetës. Si shfaqet? Gjithçka varet në radhë të parë nga mosha, sa më i vogël fëmija, aq më të vështirë e ka të përballojë të nxehtit. Shenjat e para fillojnë me grindjet (në dukje pa shkak), prishje të gjumit, ulje oreksi, djersë të ftohta e rrallim të urinimit (tërheqin vëmendjen pelenat thata). Nëse nuk merren masa, gjendja sa vjen e rëndohet me përzierje, vjellje, të dridhura, rritje temperature (deri në 40-41 gradë), deri në përgjumësi të thellë. Fëmijët më të rritur ankojnë marramendje, dhimbje koke e barku, të përziera ose të vjella, të dridhura, lëkura mbulohet me djersë të ftohta e kokrriza “lëkura e patës së rrjepur”. Në vazhdim rritet më tej temperatura, nuk dëshirojnë të flasin, mandej mund të bien në kllapi e të flasin përçart.

Si të veprojmë?

Me shfaqjen e shenjave të para, duhen marrë masa të menjëhershme për të parandaluar rendimin e mëtejshme të gjendjes.

– Çlirojeni nga veshjet e tepërta, ato që e shtrëngojnë dhe vendoseni në mjedis më të freskët – Shtrijeni në shpinë, fërkojeni me ujë të ndenjur dhe vendosni peceta të ftohta dhe bëni fresk me çdo mjetet që u ndodhet.

– Jepini të pijë ujë; po patët mundësi përgatisni një tretësirë me ½ lugë kafeje kripë në ½ gotë ujë të ftohtë dhe jepjani çdo 30 minuta për rreth 2 orë. Nëse gjendja paraqitet qysh në fillim e rëndë, ose po kaluan mbi 10- 15 minuta pa asnjë shenjë përmirësimi, nisuni në spital, duke marrë masa freskuese gjatë transportit. /E.SH

Share With:
Translate »
1028 Views