Djali i Invës dhe Pirros është rritur dhe interpreton për herë të parë në skenën e Pallatit të Kongreseve

Për herë të parë në një skenë shqiptare dhe për herë të parë në jetën e tij, djali i Pirro Çakos dhe Inva Mulës zgjodhi edicionin e 57-të të Festivalit të Këngës për të interpretuar një këngë, pikërisht në vitin kur e ëma luan rolin e drejtoreshës artistike. Arsyeja është e fortë dhe po aq e fortë edhe zgjedhja e këngës.

Sonte, në natën finale të Festivalit të 57-të, i ftuari special ishte Antoni Çako. “Këputa një gjethe dafine”, një nga hitet e gjyshit të tij të ndjerë, i cili u nda nga jeta pak muaj më parë, erdhi e punuar dhe e orkestruar nga nipi në një frymë moderne.

I emocionuar, Antoni tha se interpreton për herë të parë jo vetëm në një skenë shqiptare, por për herë të parë në jetën e tij. Ndonëse, siç tha ai, është ngjitur me të ëmën para shumë viteve për të interpretuar diçka të vogël, por ishte vetëm 10 vjeç, ndaj edhe nuk e mban mend mirë emocionin e madh që të fal skena: “Kam një këngë në kujtim të gjyshit tim, që u nda nga jeta verën e kaluar. Dua t’i lë një homazh të fundit. E punova me mënyrën time këngën dhe shpresoj t’ju pëlqejë. Është hera e parë e jetës sime që performoj, kështu që më ndihmoni”, – tha Antoni pa i fshehur emocionet e natyrshme të skenës, megjithëse e njeh atë aq mirë sa gati e ka pasur shtëpi të dytë.

Share With:
Translate »
566 Views